Miratohet Karta e Qytetit në Prizren

0
111

“E drejta mbi qytetin e Prizrenit” – Karta e Qytetit është miratuar sot nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.

Në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm të qytetit, kjo kartë synon promovimin dhe fuqizimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Prizrenit.

Ky akt parashihet që të zbatohet në raport me të gjithë qytetarët, pa diskriminim, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Komunës së Prizrenit. Njëkohësisht zbatimi i të drejtave të përshkruara në këtë Kartë paraqet vetëm një instrument plotësues dhe përforcues për të drejtat ekzistuese në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Karta në fjalë më shumë ka kuptimin e një deklarate të parimeve, që shërben si mjet për reformimin urban, duke përqafuar praktikat e qeverisjes së mirë dhe të gjithëpërfshirjes, si dhe aktivizmin qytetar. Pos dispozitave për të drejtat mbi qytetin e Prizrenit, propozimi në fjalë përmban edhe mekanizmat e zbatimit të Kartës së Qytetit.

Hartimit të kësaj karte i ka paraprirë procesi i konsultimit disa javor me grupet e nën-përfaqësuara të qytetit, si: komuniteti i të rinjve, grave, të moshuarve, Personave me Aftësi të Kufizuara, komuniteti i kulturës, sikurse edhe diskutimi me zyrtarët komunalë të dikastereve të ndryshme.

Karta e Qytetit “E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit” bazohet në këto vlera dhe parime: dinjiteti i qytetarëve, liria, barazia dhe mos-diskriminimi, pjesëmarrja e qytetarëve dhe gjithëpërfshirja në politikat publike të Komunës, qëndrueshmëria sociale dhe mjedisore  si dhe bashkëpunimi dhe solidariteti mes qytetarëve, i Komunës me qytetarët dhe anasjelltas.

Nisma për Kartën e Qyteitit është  pjesë e projektit “Rikthimi i qytetit – E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren”  që përkrahet financiarisht nga National Endoëment for Democracy. Projekti është një përpjekje për të mbështetur grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit për të fituar dhe gëzuar plotësisht të drejtën e tyre mbi qytetin (dhe të drejtat e njeriut) nëpërmjet aktivizmit dhe mobilizimit për të nxitur reformën demokratike të planifikimit urban në Prizren./OxygenPress.info

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu