Një Gjamë Dëshpërimi- Poezi nga Gjergj Fishta

0
340

Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’krahnorit

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

Mbas sodit s’ka pse dron mâ prej Malcorit:

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!

N’shpi t’tij, po, djepat asht tu’i lkundun shkina;

Arën e tij asht shkjau tu’e lavrue,

E ushtari i Malit t’Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’bekuem i ka pengue,

Nen t’cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ,

Burrat e dheut do t’ xêtê n’gjumë pështetun,

Porsi n’strofull luani xêhêt fjetun?!…

E ju, ‘dhè hyj t’shkelzyeshem, qi pre’Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’sharte t’nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’shemtueme

E kini pa tu’ndodhë n’mjedis t’njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

Po a kjo asht e Drejta, qi n’ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’t’cillen shkjau pik’s’parit

Vuni kambën dhunuese m’tokë t’Shqyptarit,

 

E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’popujvet t’vet sunduest iu ushqeshin.

 

Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’Malci ka mujtë m’u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malcija.

O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’kunoruem,

T’cillët kombin t’onë po duen me e pa t’sharruem!

 

Me parsme tona n’ata t’hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ndihmë nji ushtar s’na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ujdisi.

E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’robnis, nen themer t’huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’harresë Evropa edhe m’atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’kob t’onë s’na ngjiti.

Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’miren nieri kurr s’t’a ka permendun,

Sa t’keqen punë me t’cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ‘shumen, miq s’gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ketë jetë.

Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’vetveti,

Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’vende t’ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’dhé t’humbasë?

O Zot i lum, qi vetem n’dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’t’ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu