Mësoni si ndikojnë ngjyrat te njerëzit

0
554

Le të flasim për rëndësinë e ngjyrave. Na rrethojnë ngado. Studimet e shumta lidhur me to, tregojnë se ndikimi i tyre psikologjik dhe fizik, është i pamohueshëm në jetën tonë. Marketingu i përdor ngjyrat për të identifikuar produkte dhe për të influencuar njerëzit në blerje.

Psikologjia e ngjyrave bazohet në efektet mendore dhe emocionale, që ngjyrat kanë  mbi njerëzit në jetën e përditshme. Gjithsesi, duhet të marrim parasysh se në kultura të ndryshme,  ngjyrat mund të marrin kuptim, perceptim  apo interpretim të ndryshëm.

Të aplikojmë psikologjinë e ngjyrave në jetën e përditshme

A e dini se ambientet nga të cilët rrethoheni mund të influencojnë  emocionet dhe gjendjen tuaj mendore?  E keni vënë re se disa vende thjesht ju irritojnë? E disa vende të tjera ju duken në mënyrë të veçantë, relaksuese dhe qetësuese?  Me shumë mundësi, ngjyrat që ndodhen në këto ambiente luajnë një rol vendimtar.  Ngjyrat shpesh lidhen me emocionet e një njeriu.

Ngjyrat gjithashtu mund të ndikojnë gjendjen mendore apo fizike të një njeriu. Për shembull studimet kanë treguar, se njerëz të cilët kanë parën ngjyrën e kuqe, kanë filluar të kenë një rritje të rrahjeve të zemrës, gjë e cila ka çuar në rritjen e nivelit të adrenalinës së lëshuar në gjak.

Efektet psikologjike të ngjyrave të ftohta

A keni nevojë të jeni kreativ?  Përpiquni të përdorni ngjyrën vjollcë. Vjollca përmban  brenda saj ngjyrën e kuqe dhe blunë  dhe krijon kështu një balancë të këndshme midis stimulimit dhe qetësisë , kjo balancë presupozohet të zhvillojë kreativitetin.

Mendohet se vjollca e lehtë ndihmon që të ndiheni të rrethuar nga një ambient i qetë dhe kështu çliron tensionin dhe stresin. Këto mund të jenë ngjyra shumë të mira për t’u përdorur në  shtëpi, apo në një zyrë biznesi.

Nëse po kërkoni për një ambient tipikisht të pastër dhe relaksues, duhet të konsideroni përdorimin e ngjyrës jeshile dhe blusë. Këto ngjyra janë prezantuar si ngjyra veçanërisht qetësuese. Për ta mbështetur këtë  teori, na vjen në ndihmë edhe një argument shkencor- syri e  fokuson menjëherë në retinë  ngjyrën jeshile, kështu muskujt e syrit nuk sforcohen.

Ngjyra blu sugjerohet për ambiente  brenda së cilave qëndrojnë shumë njerëz dhe kalojnë aty një kohë të konsiderueshme së bashku.  Ngjyra blu është qetësuese,  mendohet se qetëson frymëmarrjen  dhe ul presionin e gjakut.  Këto gjëra janë shumë të përshtatshme për t’i përdorur në një dhomë gjumi, në këtë mënyrë ato do t’ju ndihmojnë të relaksoheni.

Efektet psikologjike të ngjyrave të ngrohta

A dëshironi të krijoni një ambient stimulues, ose një ambient ku njerëzit të kenë dëshirë të ushqehen më shumë? Merrni në konsideratë të përdorni ngjyrën  e verdhë ose portokalli. A e keni menduar ndonjëherë se përse kaq shumë restorante i përdorin këto ngjyra? Sepse janë ngjyra të lidhura ngushtë me perceptimin për ushqimin.

Por duhet pasur kujdes nëse përdorim ngjyra të çelura si portokallia, e veçanërisht e verdha.  Ato reflektojnë më shumë dritë se ngjyrat e tjera duke stimuluar kështu sytë dhe kjo mund te sjellë irritim. Dhe nëse jeni një person që llogarisni kaloritë që konsumoni, nuk është aspak e këshillueshme për ju që të lyeni kuzhinën apo dhomën e ngrënies me këto ngjyra.

Pra, nga gjithë çfarë mësuam më sipër, ngjyrat mund të përdoren me mençuri për të na sjellë rezultate të çmueshme për gjendjen tonë emocionale, mendore dhe fizike. Ato gjenden kudo në natyrë, për t’i shtuar hijeshinë krijimit dhe gëzimin jetës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu