Mos e fluturo çantën e shkollës kur hyn në shtëpi!

0
229

Kur fëmijët kthehen në shtëpi ata janë të mbushur me libra detyra dhe histori nga pushimi i madh. Prindërit janë të mbingarkuar sepse iu duhet t’i shoqërojnë edhe në kurse përveçse në shkollë, e sigurisht duhet t’i ndihmojnë edhe me detyrat e shtëpisë. Përveç kësaj ekziston gjithmonë një tension në mes të fëmijës dhe prindit sepse nga njëra anë prindërit duan që ata të bëjnë detyrat e shtëpisë ndërsa fëmijët duan të luajnë. Dhe kur vjen koha e gjumit prindërit janë tepër të lodhur.

Këta të fundit duan të përfshihen në edukimin e fëmijëve, për ti ndihmuar ata të bëjnë detyrat tyre, por edhe të ruajnë marrëdhënien me ta. Kjo kërkon një përpjekje të përditshme për të balancuar rrëmujën e jetës së shkollës dhe kohën e kaluar me fëmijët. Ndaj ne do të ndajmë me ty disa strategji që do të të ndihmojnë të ruash marrëdhënien me fëmijët dhe të zvogëlosh rrëmujën.

Ndërto një rutinë

Pjesa më e madhe e ditës së fëmijëve në shkollë është një rutinë ndaj nuk ka një arsye që të mos ndodh e njëjta gjë edhe në shtëpi. Kërkoju fëmijëve që pas shkolle të boshatisin kutitë e ushqimit, të vendosin në vendin e duhur rrobat që heqin dhe të shtrojnë tavolinën. Këto gjëra ata duhet ti bëjnë me radhë çdo ditë. Të bësh këtë rutinë çdo ditë të ndihmon të ndihesh më e sigurt sepse e di që do të krijohet më pak rrëmujë.

Organizo

Një vend i caktuar për detyrat e shtëpisë mund të ul stresin dhe të kursej kohë. Kështu që cakto një vend larg nga aty ku grumbullohet e gjithë familja, por gjithmonë që fëmija të jetë nën vëzhgimin e njërit prind sepse mund të ketë nevojë për ndihmë. Gjithashtu duhet të edukoni fëmijët që të vendosin në vendet e caktuara librat e tyre pasi të kenë përfunduar mësimet sepse e njëjta tavolinë mund të përdoret për të ngrënë darkën me familjen. Madje fëmijët pak më të rritur mund ti edukoni që të organizojnë kalendarë mujor për detyrat dhe aktivitet e tyre. Gjithashtu të mbajnë një listë me gjithë gjërat që duhet të bëjnë. Bëje edhe pastrimin si pjesë e detyrave të fëmijëve. Një mënyrë e mirë do të ishte që sendet e secilit fëmijë të jenë  shënuar me një ngjyrë të caktuar dhe në këtë mënyrë mbledh secili sendet e tij.

Bëjini gjërat si një punë në skuadër

Reduktoje stresin që vjen pas orarit të shkollës duke listuar punët e gjithsecilit. Kërkoju fëmijëve më të rritur të kujdesen për motrat dhe vëllezërit e vegjël që prindërit të jenë të lirë për detyra të rëndësishme në shtëpi. Familja tipike shqiptare ka edhe gjyshërit në familje. Ose të paktën ata mund të jetojnë afër. Përfshijini edhe ata në edukimin e fëmijëve tuaj sepse janë mësuesit më të butë dhe të duruar.

Menaxhoje rezistencën që bëjnë fëmijët

Rrëmuja më e madhe në shtëpi shkaktohet sepse fëmijët nuk kanë motivim. Atyre nuk iu pëlqen të bëjnë detyrat e matematikës apo të shkojnë në kurset pas shkolle. Por edhe ju bëhuni mirëkuptues dhe mos prisni që fëmijët tuaj të jenë më të mirët e klasës. Shkolla është vendi ku kultivohen këmbëngulja dhe aftësia për të mësuar gjëra të reja. Fëmijëve duhet t’iu mësohet se shkolla është si një kopsht te i cili stërvitesh për jetën e vërtetë. Mund t’iu thoni se është  një vend ku do të bëjnë edhe gjëra që nuk iu pëlqejnë shumë në mënyrë që të fitojnë gjëra që duan, si për shembull të marrin leje të shkojnë në një ekskursion apo për të luajtur. Përpiqu që të lidhësh aktivitetet shkollore me shpërblimet e përditshme aq sa të mundësh, sepse fëmijët nuk i shohin përfitimet afatgjata që kanë nëse ia dalin të mësojnë mirë në shkollë. Ju mund ti motivoni ata me ushqime të shijshme të cilat do t’iu duhet t’i fitojnë.

Luani dhe pushoni së bashku

Momentet që kaloni me fëmijët tuaj në ditët e shkollës janë të limituara. Merr kohë që t’i dëgjosh, t’i pyesësh se si u ka shkuar dita dhe hani darkën bashkë si familje sa më shpesh që të mundni. Bëni pushime nga detyrat e shkollës për të bërë xhiro me biçikletë apo për të luajtur së bashku. Kur lidhesh me fëmijën tënd, do të zbulosh mundësi të reja për të organizuar ditën. P.sh: A e shohin ata një shok klase që nuk iu pëlqen si dikush që duhet t’i afrohen për ta bërë shok? A e kuptojnë ata se një mësuese e ashpër është një mundësi për të respektuar autoritetet?

Një vesh që dëgjon dhe një kohë cilësore e kaluar së bashku mund të zvogëloj rrëmujën e madhe që bëhet pas shkolle. Dhe ndoshta po aq e rëndësishme, i ndihmon fëmijët të kenë një qëndrim më të mirë ndaj të nesërmes ku do t’ia fillojnë përsëri rutinës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu