Dëshmorëve – poezi nga Gjergj Fishta

0
618

O ata t’lumtë, qi dhanë jetën,

o ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

qi për Mbret e vend të Parëve,

qi për erz e nderë t’Shqiptarëve

derdhën gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

e der’ t’ këndojë n’mal ndo’ i Zanë,

e der’ t’ ketë n’ detë ujë e ranë,

der’ sa t’shndërisin diellë e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle por u këndojshin.

E njaj gjak, qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue velue

për m’ia xe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu