Është përuruar Klinika Emergjente e renovuar

0
157

Objekti i renovuar i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është përuruar sot nga drejtuesit e shtetit.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili bashkë me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës përuruan klinikën dhe pajisjet e reja.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka bërë të ditur se i gjithë investimi ka kushtuar 450 mijë euro.

“Rreth gjysmë milioni euro investime, për transformimin e Emergjencës në një Klinikë moderne, të pajisur me aparaturë të teknologjisë së fundit, të denjë për të pritur qytetarët tanë në nevojë. E drejta për jetë është e panegociueshme, e me rinovimin e kësaj klinike ne kemi rritur shanset për mbijetesë të gjithsecilit që kërkon trajtim emergjent. Sot, të gjithë jemi më të sigurt. Urime të gjithëve!”, ka thënë ministri Ismaili.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka premtuar rritjen e pagave për sektorin e shëndetësisë.

“Kemi një mesazh shumë të qartë: shëndetësia është shumë e shtrenjtë. Kemi vendosur që qytetarët tanë të trajtohen denjësisht dhe të mos kenë nevojë të dalin jashtë vendit. Kemi marrë vendim së bashku me kryeministrin dhe ministrin që që t’i ngrisim pagat e gjithë personelit shëndetësorë shumë shpejt. Jemi të përkushtuar që prej mesit të vitit të ardhshëm asnjë pacient të mos ketë nevojë të blejë barna në mënyrë private”, tha Veseli.

Ndërsa Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e shëndetësisë së Kosovës.

“Ne kemi mjekët dhe personelin mjekësor më të mirin në botë. Ju kanë munguar kushtet, pagat, se nuk besoj që i ka dikush më të mirë se ne. Shëndetësia ka qenë e lënë pas dore gjatë dhe është hera e parë që ka ndryshuar diçka”, tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët për sigurimet shëndetësore, kryeministri Haradinaj tha se nuk është proces i lehtë, sepse ka ndodhur një ndërprerje dhe duhet filluar nga e para dhe poashtu duhet të investojë publiku njëherë paratë, për ta bërë një bazë të parasë, në mënyrë që gradualisht pastaj të mbushet arka e sigurimeve nga kontribuuesit, nga ata që paguajnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu