Zyrtari i EULEX-it e quan Kosovën vend të krimit e korrupsionit – përmend gjakmarrjen e politikën e dështuar kosovare

0
65

Simo Pietiläinen është një avokat finlandez i cili kishte punuar në misionin e  EULEX-it në Kosovë.

Ai ka rrëfyer për një gazetë finlandeze, përvojën e tij katër vjeçare në Kosovë.

Fillimisht, rastin e plagosjes së tre personave në Finlandë nga një biznesmen shqiptar, ish punonjësi i EULEX-it në Kosovë, e ka ndërlidhur me gjendjen aktuale në vendin tonë.

Ai ka deklaruar se në gjykatat e Kosovës, është nivel i lartë i rasteve të korrupsionit.

Sipas Simo Pietiläinen, përveç rasteve të krimeve e urrejtjes, ka edhe raste të gjakmarrjes.

“Të akuzuarit, shpesh i shmangen burgut duke dhënë ryshfet apo ikjes së përgjegjësisë për shkak të njerëzve të njohur nëpër gjykata”, thotë ai.

Më tej thotë se, qytetarët në Kosovë nuk i besojnë sistemit ligjor ose institucioneve të tjera, ndërkaq përmend papunësinë, dhe ikjen e qytetarëve si shkak i zhgenjimit nga politika vendase.

“Të pafuqishmëve (qytetarëve), u merret drejtësia nga duart. Kosova është e rrënuar nga korrupsioni masiv dhe qytetarët nuk i besojnë gjyqësorit. Kontradiktat e pafund midis Kosovës dhe Serbisë, papunësia e madhe dhe mungesa e investimeve, janë një burim zhgënjimi dhe mungesë vizioni. Njerëzit kanë një dëshirë të pafund për të ikur jashtë vendit”, thotë Pietiläinen, njofton Telegrafi.

Ish punonjësi i EULEX-it, kishte vizituar vendin e krimit në Finlandë, kur ishin plagosur tre persona, ndërkaq ka thënë se raste të ngjashme të plagosjes e vrasjeve nuk janë të rralla në Kosovë.

Simo Pietiläinen ka qëndruar në Kosovë për katër vjet.

Sipas gazetës finlandeze, për tre vitet e para, ai kishte zgjidhur mosmarrëveshjet e privatizimit, në Gjykatën Supreme. Vitin e kaluar ai vazhdoi të punojë si një ekspert në EULEX për menaxhimin e krizave në Prishtinë.

“Në kulturën e Kosovës, nderi i një njeriu nuk guxon të cenohet para një turme. Nëse kjo ndodh, dhe njeriu nuk hakmerret, ai është frikacak. Ka një rast në një vend ku spiralja e hakmarrjes ka zgjatur 80 vjet. Dua të theksoj se nuk i di detajet e çështjes së Helsinkit”, thekson Pietiläinen.

“Ka kaq shumë korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë, politikës dhe ekonomisë. Sistemi gjyqësor zbeh vëmendjen e çështjeve duke i kthyer ato disa herë nga gjykata e apelit në gjykatën e ulët”, thotë ai.

Sipas Pietiläinen, misioni i EULEX-it, nuk ka mundur të integrojë në Kosovë atë që njihet si “praktika më e mirë evropiane”, por ka qenë në gjendje të ndikojë në administrimin e drejtësisë në çështjet e rënda të krimeve të luftës.

Ai ka përmendur edhe rastin e dy familjeve të mëdha në Pejë, atë Elshani dhe Kelmendi.

Gjithashtu çështjen e Kanunit për të cilin thotë se është ende aktual në Kosovë.

Ai thekson se vrasjet e nderit dhe gjakmarrja nuk janë besime islamike, por praktikat e lashta zakonore të vendit.

Simo Pietiläinen thotë se pas luftës,nuk janë dorëzuar armët nga qytetarët në Kosovë dhe nga viti 1999, një pjesë e tyre ka mbetur në duart e tyre.

“Armët janë gjithashtu pjesë e jetës së përditshme e qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Simo Pietiläinen, thotë se Kosova e ka merituar pavarësinë në vitin 2008, por edhe një të ardhme më të mirë.

Por sipas tij, kjo nuk po ndodhë për shkak të veprimeve jo të mira të udhëheqjes së lartë politike të vendit.

Për çështjen e islamizmit thotë se xhamitë po financohen nga Katari dhe Turqia ka rritur ndikimin në Kosovë.

“Turqia ka forcuar vazhdimisht pozicionin e saj, veçanërisht në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, vendet islamike si Katari, i cili vazhdimisht po financon ndërtimin e xhamive të reja dhe mbështetjen e grave me “mbulesa”, thotë Pietiläinen.