Zemaj: Nuk do të ketë specialistë të pa punë

0
50

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bëri të ditur sot se me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, do të hap konkursin të martën për punësimin e specialistëve të papunë.
“Kjo është ditë e madhe për juve (specialistë), ditë e gëzueshme për Ministrinë, për mua si ministër dhe është lajm i mirë për qytetarët dhe shtetin. Sot, e konfirmoj për juve këtu dhe për opinionin se specialistët po punësohen në sistemin publik shëndetësor, tha Ministri Zemaj.
Ai e bëri të ditur këtë lajm në një konferencë për media, ku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, dr. Saudin Maliqi, folën për procesin e rekrutimit të specialistëve të papunë.
Ministri Zemaj kërkoi që procedurat e rekrutimit të jenë transparente.
Ai e vlerësoi këtë proces si një të arritur të madhe, e cila hap rrugë dhe perspektivë për specialistët që presin të punësohen.
“Armatës së mjekëve, po i shtohet profesionalizmi, përkrahja e cilësisë së përkujdesjes. Dua t’jua kujtoj se para disa ditëve, edhe 1500 kolegë tuaj më të rinj, iu bashkuan kuadrit specialistik. Pra, nga sot, nuk ka më as mjek, as specialist në rrugë. Mjekët, 1.500 tashmë janë regjistruar në specializim dhe të gjithë mjekët specialistë do të jenë të punësuar”, tha Ministri Zemaj.
Ai tha se në të ardhmen, nuk do të lejoj që asnjë mjek të jetë i papunë dhe se të gjithë specialistët do të kenë vend në spitale. “Specialistët do të punësohen në institucionet publike shëndetësore ndërsa mjekët do ta fitojnë specializimin”.
Ministri tha se Kosova duhet të ketë mjekë sipas nevojave dhe numrit të banorëve. “Nuk mund të presim ngritje të cilësisë pa mjekët e angazhuar, andaj, çdo mjek dhe mjek specialist, do të punësohet. Ky nuk është premtim, është zotim!”, tha ai.
Ministri Zemaj tha se edhe ministrat paraprak çështjen e punësimit të specialistëve e kishin brengë dhe se të gjithë janë angazhuar për gjetjen e zgjidhjes fatlume për ta. “Zotoheshin dhe betoheshin se po mundoheshin të bëjnë zgjidhje, deri sa nuk ju hiqnin nga dyert kur ju protestonit. E di, kjo nuk ka ngjarë vetëm me juve. Kjo ka ngjarë edhe me specializimet. Kjo ka ngjarë edhe me numrin e regjistrimit të studentëve. E di, është folur vazhdimisht, duhet, por situata aktuale në vend, nuk e duron fjalën duhet, situata na imponon veprimin. Këtë e arrij sepse këtë e presin qytetarët nga unë”, tha Zemaj.
Ai kërkoi nga specialistët që do të punësohen që të punojnë sipas betimit të Hipokratit për shëndetin dhe mirëqenien e tyre shëndetësore.
Me veprimet e ndërmarra për punësimin e specialistëve të pa punë, inkuadrimin të 1500 mjekëve në shkollim specialistik dhe punësimin e një numri të madh të kuadrove në shërbim të menaxhimit të rasteve COVID-19, Ministria e Shëndetësisë po krijon stabilitet kadrovik në shëndetësi.
Kurse dr. Saudin Maliqi tha se situata në SHSKUK sa i përket Covid-19 është e ngarkuar, por e kontrolluar dhe se stafi shëndetësor po bën maksimumin në trajtimin e rasteve.