Zbuluesi i Penicilinës, në vitin 1945 fitoi çmimin Nobel për mjekësi dhe fiziologji

0
308

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 43 me rradhë ka Aleksandër Fleming.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXIII- Aleksandër Fleming

(1881-1955)

Zbuluesi i Penicilinës, Aleksandër Flemingu u lind në vitin 1881 në Lokfilld të Skocisë. Që kur mbaroi shkollën mjekësore në klinikën shëndetësore “Shën Mëri” të Londrës, Flemingu u mor me studimin e imunologjisë. Më vonë, gjatë Luftës  së Parë Botërore, si mjek ushtarak vëmendjen e përqendroi te plagët infektive, ku vuri re se pjesa më e madhe e mjeteve antiseptike dëmtonin më shumë qelizat e trupit të njeriut se mikrobet. Këtej arriti në përfundimin se duhej gjetur ndonjë bar, që të zhdukte bakteret pa dëmtuar qelizat. Pas luftës u kthye në klinikën e “Shën Mërisë, ku vazhdoi të merrej përsëri me kërkime shkencore. Në vitin 1922 zbuloi lëndën, të cilën e quajti lizozim. Ajo krijohet nga trupi i njeriut: përbëhet nga mukozë dhe rrjedhje të ngjashme me lotin. Kjo lëndë nuk është e rrezikshme për qelizat e viçit. Lizozimi zhduk disa mikrobe, por fatkeqësisht jo ato, që janë të rrezikshme për njeriun. Ky zbulim, edhe pse interesant, nuk ka rëndësi të veçantë. Suksesin e tij të madh, Flemingu e arriti në vitin 1928: Një nga kulturat e tij laboratorike  të stafilokokut, e ekspozuar jashtë në ajër, zuri myk. Ai vuri re se, pikërisht aty ku ishte myku, bakteret ishin zhdukur. Prej kësaj, arriti në përfundim se myku prodhon një lëndë të tillë, që zhduk bakterin e stafilokokut. Jo shumë vonë pas kësaj ai arriti të zbulonte se ajo lëndë ndalonte zhvillimin edhe të shumë baktereve të tjera të rrezikshme. Lënda, të cilën e quajti Penicilinë (sipas emrit të mykut që e prodhon, Penicilium Notatum), u provua që ishte e parrezikshme si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Rezultatet që arriti, Flemingu i botoi në vitin 1929, por pothuajse asnjeri nuk ia vuri veshin. Në botimin e tij, ai theksonte mundësinë e përdorimit të gjerë të Penicilinës në mjekësi. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të përpunonte metodën e pastrimit të saj. Kështu që, edhe për më shumë se dhjetë vjet, ky mjet çudibërës për mjekim mbeti i pashfrytëzuar. Nga fundi i viteve 30, dy mjekëve, Hauard Volter Flori dhe Eris Boris Hanit, u ra në dorë publikimi i Flemingut. Ata, përsëritën eksperimentet e tij dhe arritën në përfundime të njëjta. Pas kësaj, e pastruan Penicilinën dhe e provuan në laborator te kafshët. Gjatë vitit 1941 eksperimentuan edhe te njerëz të sëmurë. Rezultatet treguan se mjekimi i ri kishte një efekt të çuditshëm. Me ndihmën e qeverive britanike dhe amerikane u formuan  kompanitë farmaceutike, që përpunuan shpejt teknologjinë për prodhimin në sasi të mëdha të Penicilinës. Në fillim, ajo u përdor vetëm për të plagosurit në luftë. Më vonë, gjatë vitit 1944, u përdor për mjekimin edhe të civilëve në Amerikë dhe Angli. Pas mbarimit të Luftës Dytë Botërore Penicilina gjeti përdorim të gjerë në të gjithë botën. Ky zbulim nxiti në kërkime të tjera shkencore për antibiotikët, ku u zbuluan mjaft barna të tilla “çudibërëse”. Megjithatë, Penicilina mbetet antibiotiku me përdorim më të gjerë. Vlera mbizotëruese e Penicilinës qëndron në faktin se ajo vepron me efektivitet kundër shumë mikrogjallesave të rrezikshme. Me të mjekohen: sifilizi, djegiet, difteria, artriti (disa forma të tij), bronshiti, meningjiti, ceroza e mëlçisë, helmimet e gjakut, infeksionet e kockave, pneumonia, gangrenat dhe shumë sëmundje të tjera. Përparësia e dytë e saj është se ajo është e parrezikshme. Dozat prej 50000 njësi peniciline japin rezultate të mira në disa lloje infeksionesh. Ka raste që jepen edhe nga 100 milionë njësi në ditë pa shkaktuar efekte të dëmshme anësore. Është fakt se ka njerëz që janë alergjik nda Penicilinës, por për shumicën e rasteve ai është një bar ideal, ku kombinohet efektiviteti i tij me parrezikshmërinë për të shkaktuar ndonjë sëmundje tjetër. Penicilina deri tani ka shpëtuar miliona njerëz dhe, sido që të jetë, në të ardhmen do të shpëtojë edhe shumë të tjerë. Pikërisht për këtë nuk ka kush e kundërshton rëndësinë e madhe të zbulimit të Flemingut. Kuptohet, që vendi i saktë i tij në libër varet edhe nga ajo se pjesë e kësaj merite u takojnë Florit dhe Hanit. Mendojmë se merita kryesore e këtij zbulimi i takon Flemingut, i cili është autori kryesor i zbulimit, pa të cilin mund të kalonte edhe shumë kohë sa të zbulohej Penicilina. Ndërsa publikimet e tij, pa dyshim, shpejt a vonë, do të sillnin teknologjinë e domosdoshme për përpunimin dhe pastrimin e Penicilinës.

Nga martesa fatbardhë e tij, Flemingu pati një fëmijë. Në vitin 1945, së bashku me Florin dhe Hanin mori Çmimin Nobel për mjekësi dhe fiziologji. Ai vdiq në vitin 1955.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhon Lok.