Zbulimet arkeologjike në liqenin e Ohrit nën kujdesin e UNESCO-s

0
143

Shpallja e pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit si pasuri e UNESCO-s do të mundësojë vijimin e kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në pjesën nënujore, sipas standardeve të këtij organizmi ndërkombëtar.

Arkeologu nënujor Adrian Anastasi tha për ATSH-në se “restaurimi dhe muzealizimi i objekteve dhe banesave palafite, tashmë të zbuluara nën ujë, do të kenë të njëjtat standarde”.

Arkeologu nënujor, që drejton prej vitesh kërkimet në liqenet e Ohrit dhe Prespës, thekson se “zbulimet e deritanishme në liqenin e Ohrit kanë nxjerrë në dritë tre vendbanime të mëdha prehistorike, me moshë deri 6-mijëvjeçare. Dy prej tyre i përkasin periudhës neolitike dhe një tjetër periudhës së bronzit”.

Dr. Adrian Anastasi shton se turistët në të ardhmen do të vizitojnë site, të cilat i përkasin trashëgimisë kulturore botërore, pjesë e UNESCO-s. Shqipëria do të jetë realisht kontribuese në botë, me kulturën e saj të zbulimeve arkeologjike nënujore.

Dokumentacioni i zbulimeve në liqenin e Pogradecit ka shërbyer për plotësimin e dosjes që përgatiti Ministria e Kulturës, Instituti i Arkeologjisë dhe organizma të tjerë institucionalë.

Sipas dr. Anastasit vënia nën kujdesin e UNESCO-s do ti shërbejë edhe tërheqjes së fondeve për kërkime shkencore dhe për laboratorë.