YouTube ndalon videot që lidhin rrjetin 5G me koronavirusin

0
83

YouTube ka ndaluar të gjitha videot ku flitet për teorinë konspirative, e cila nuk mbështetet në fakte, që lidh simptomat e koronavirusit me rrjetet 5G, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Shërbimi në pronësi të Google tani do të fshijë të gjitha videot që shkelin këtë politikë të kompanisë. Më parë politikat e kompanisë ishin të kufizuara në zvogëlimin e frekuencës që u rekomandonte përdoruesve videot në seksionin Up Next.

Masa e re vjen pas një interviste me teoricienin konspirativ David Icke, të transmetuar drejtpërdrejtë të hënën, në të cilën ai e kishte lidhur teknologjinë me pandeminë.

YouTube tha që kjo video do të fshihet.

Gjatë intervistës, Icke pretendon gabimisht se “ka një lidhje midis rrjetit 5G dhe kësaj krize shëndetësore”.

Ndërsa kur pyetet për reagimin e tij ndaj raportimeve për zjarrvënien e strukturave 5G në Angli dhe Irlandën Veriore, ai thotë se “nëse 5G vazhdon dhe arrin atje ku ata duan ta çojnë atë, jeta njerëzore siç e njohim do të përfundojë … kështu që njerëzit duhet të marrin një vendim “.

Disa përdorues më pas bënë thirrje për sulme të mëtejshme mbi kullat 5G në komentet që shfaqeshin përkrah burimit.

Icke gjithashtu pretendon se një vaksinë kundër koronavirusit, kur një e tillë do të zhvillohet, do të përfshijë “mikroçipa nanoteknologjike që do të mundësojnë kontrollimin e njerëzve”.

Ai shtoi se Bill Gates – i cili po ndihmon fondin për zhvillimin e vaksinës kundër Covid-19 – duhet të burgoset.