Xhudo “pushton” podiumin në Athinë, dy medalje të arta për Kosovën në Kupën evropiane për juniore

Erza Muminoviq dhe Flaka Loxha i kanë sjellur dy medalje Kosovës në Kupën evropiane të xhudos për juniore (U21), që po mbahet në Athinë të Greqisë.

Erza fitoi të artën falë pesë fitoreve, katër me luftë, kategoria deri në 48 kilogramë. Medalistja e bronztë Olimpike për të reja, në finale mposhti austriaken, Jaqueline Springer.

Flaka po ashtu shënoi pesë fitore, katër me luftë. Në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë ajo mundi austriaken, Losa Grabner. Në kategorinë e njëjtë, Fationa Kasapi u eliminua në rrethin e parë.

Laura Fazliu (-63 kg) humbi luftën për medaljen e bronztë, duke përfunduar e pesta.
Nesër garojnë Arbër Kullashi (-81 kg) dhe Shpat Zekaj (-100 kg).

Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon suksesin e xhudisteve tona, në krye me trajnerin, kampion Olimpik, Driton Kuka.