Vrasja në Çifllak të Rahovecit, i pandehuri mohon të ketë vrarë vëllain e tij

0
203

I pandehuri Arben Morina, i ngarkuar për dy veprat penale atë të vrasjes së rëndë si dhe armëmbajtjes pa leje, ka mohuar fajësinë pranë Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë, raporton Drejtësia Sot.

Pas leximit të aktit akuzues nga prokurori i rastit Ali Uka, i pandehuri e ka mohuar në tërësi fajësinë për veprat penale që i ngarkohen.

Në deklarimin e tij, i njëjti theksoi se nuk e ka vrarë vëllain e tij, andaj nuk ndihet fajtor për dy veprat që po i ngarkohen nga Prokuroria e Gjakovës.

Një deklarim pothuajse të ngjashëm me atë të pandehurit Morina, e tha edhe pala e dëmtuar njëherë edhe nëna e të pandehurit, Kimete Morina. E njëjta i kërkoi gjykatës që djalin e saj Arben Morina të lirojnë nga burgu, pasi që sipas saj i njëjti është i pafajshëm.

Ndërsa gjyqtari Shaqir Zika, njoftoi palët se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet. Sipas gjyqtarit Zika, palët në procedurë kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre me shkrim në afat prej 30 ditësh.

Vlen të ceket se, i pandehuri Arben Morina, gjendet në paraburgim prej datës 17 tetor 2019, i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, i pandehuri Arben Morina me 9 maj të vitit 2019, në fshatin Çifllak të Komunës së Rahovecit, në shupën e shtëpisë kishte vrarë vëllain e tij, N.M., për motive të panjohura.

Në aktakuzë thuhet se viktima N.M., ishte qëlluar një herë nga arma në pjesën e përparme të kraharorit dhe se vdekja e tij kishte ardhur për shkak të gjakderdhjes së brendshme si pasojë e plagës tejshkuese nëpër regjionin e zemrës.

Tutje, i pandehuri Arben Morina, po dyshohet të ketë kryer edhe veprën penale të mbajtjes në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve. Por, aktakuza shton se arma nuk është arritur të konfiskohet, pasi që pas kryerjes së veprës penale, dyshohet se i pandehuri e ka hedhur./DrejtesiaSot