Vrasja me pagesë – Sa para u premtuan për vrasjen në fshatin Prapaqan të Deçanit?

0
578

Në Gjykatën Themelore të Pejës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e vrasjes së rëndë që kishte ndodhur në fshatin Prapaqan të Deçanit, në vitin 2014.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Gjon Pnishi.

Pnishi, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, akuzohet se kishte marrë porosi nga Bekim Raja, që së bashku me Avni dhe Murat Sinanaj ta kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, me ç’rast do të shpërbleheshin 100.000 frang zviceran.

Mbrojtja e të akuzuarit Pnishi, zgjati dy ditë më radhë. Ai u deklarua rreth gjithë ngjarjes që kishte ndodhur prej bartjes së porosisë për vrasje, kush e kishte porositur këtë vrasje, kush sipas tij ishte ekzekutori i Ferdinand Gjinit, sa kishte qenë pagesa që iu ishte premtuar, e deri të dita kritike që kishte rezultuar me vrasjen e Gjinit.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ndrec Dodaj, i akuzuari Pnishi, sqaroi me detaje mënyrën e njohjes më të akuzuarin Bekim Raja, kohën kur ishin takuar, vendin, bisedat që kishin zhvilluar e kështu më radhë. Ai sqaroi se për herë të parë ishin takuar në Zvicër, përmes një kushëriri të tij.

I akuzuari Pnishi, porosinë për vrasjen e Ferdinand Gjinit, dëshmoi që e kishte marrë nga i akuzuari Bekim Raja. “Një muaj para se me ardh në Kosovë nga Zvicra, më ka thënë Bekimi, që unë të ia përcjellë Avni Sinanit porosinë: A mundësh me ma vra Ferdinand Gjinin” deklaroi i akuzuari Pnishi.

Me pas ai ka sqaruar mënyrën se si e ka transmetuar porosinë e Bekim Rajës për vrasjen e Gjinit. “Unë një javë pasi jam kthy në Kosovë, kom fol me Avnin për porosinë e Bekim Rajës. Avnia më ka thënë se të kryme e ki prej meje këtë punë”.  Sipas Pnishit i akuzuari Raja, i kishte thënë “ për këtë vrasje 50 mijë franga i ki ti e 50 mijë Avnia”, raporton “Drejtësia Sot”.

Ai gjithashtu shtoi se nuk e kishte vrarë as Ferdinand Gjinin, e as që do ta vriste dikë tjetër. “Unë Avnisë dhe Bekimit iu kom tregu që unë për pare njerëz nuk vraj, me pas vra unë nuk i kisha thonë Avnisë hiç, po e kisha vra vetë”.

Me pas ai ka sqaruar edhe takimin që e kishte pasur me të akuzuarin Avni dhe viktimën Gjini. “Një natë para vrasjes së Ferdinandit jemi taku me të dhe më Avnin ku është diskutu për shit-blerjen e 50 kilogramve drogë. Plani i Avnisë ka qenë më shku Ferdinandi edhe unë në fshatin Isniq me i marrë 50 kg bari (drogë), Avnia na ka thënë mos hajdeni nëpër Deçan por nëpër disa fshatra të Deçanit. Ndërsa unë kom pas me shku që nëse policia na ndalin, unë me e bo ndonjë “kiks”, e policia mos me ndal Ferdinandin me drogë po mu”.

I pyetur lidhur me ditën kritike, ai deklaroi “Ka qenë ditë e hënë, jom dal prej shtëpisë edhe kom shku në një lokal, pastaj ka ardh Ferdinandi, ma ka bo me dorë që me shku unë mbas tij, qysh edhe i kem pas fjalët një ditë përpara. Unë jom shku me kerr mbas tij. Në dalje të Llukës, kur jom kon tu hyp mbi urë mu ka deshtë me zvogëlu shpejtësinë se ura e keqe, në qoshe të urës jon kon do stoma të vegjël të dheut edhe qaty e kom pa Muratin me një kallash në dorë dhe pasi kom kalu unë më kerr, Murati ka shtënë në drejtim të Gjinit dy herë”.

Pas kësaj ai ka sqaruar se çfarë ka ndodhur pas vrasjes së Ferdinand Gjinit. Ai ka deklaruar se vëllezërit Sinanaj i kishin shkuar të shtëpia për ta takuar. “Avnisë i kom thonë pse dult e vrat e njërin, më ke pre në besë, unë jom shku veç për me marrë barin (drogën), e jo me vra kërkond”.

Më pas është trajtuar edhe mënyra se si avokati Ndrec Dodaj, ishte larguar nga përfaqësimi i të akuzuarit Pnishi, dhe ardhjes së avokatit Haxhi Çekaj në roli e mbrojtësit të tij.

I akuzuari Pnishi, deklaroi se avokati Çekaj, paguhej nga Bekim Raja, ndërsa tregon se avokati gjatë gjithë kohës i kishte premtuar se do të lirohej në fund të gjykimit, pasi që siç thoshte ai, edhe gjyqtari i çështjes ishte korruptuar nga ata.

Ndërsa Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, ndër të tjera e pyeti lidhur me mos deklarimin e tij deri më tani. Pse nuk jeni deklaruar kështu sikur sot që në fillim, para se ju me u dënu?

I akuzuari Gjon, u deklarua se arsyet e mosdeklarimit të tij në shqyrtimin e kaluar, lidhen me mashtrimet që avokati Çekaj ia kishte bërë, me premtimet nga i njëjti që do të lirohej në fund të gjykimit, e në të cilin ishte dënuar më 18 vjet burgim.

“ Kur jom arrestu e kom angazhu si avokat Ndrec Dodën, të cilit ja kom tregu krejt rastin, i njëjti më ka thënë se nëse ti don është një mundësi më bashkëpunu me prokurorinë. Para se me dal unë më dëshmu në prokurori, më është largu nga mbrojtja avokati Ndrec, dhe më ka ardh avokati Haxhi Çekaj. Ai më ka premtu që ditën e gjyqit ti ki me dal me shku nshpi. Para se më u ngrit aktakuza, i kom thonë se du më fol krejt të vërtetën, Haxhia më ka thënë mos fol se i kom marrë 20.000 frang ia kom dorëzu gjykatës, edhe 20.000 frang kom me ja jep kur të kryhet. Unë kom dashtë me tregu krejt në seancë, por ai më ka ndal nën arsyetimin se teshat që i ka veshë gjyqtari ishin blerë nga ai. Por ato krejt rrena ishin kon se gjyqtari i kish pas ble vetë, se unë në fund u dënova më 18 vjet burg” deklarohet ia akuzuari Pnishi.

I njëjti ka shtuar se mbasi që është dënuar e ka angazhuar sërish avokatin Ndrec Dodaj, dhe më pas ishte deklaruar në prokurori lidhur më gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me rastin e vrasjes së Ferdinand Gjinit. Pas deklarimit të të njëjtit, ai shtoi se familja e tij ka pasur kërcënime nga vëllai i Muratit dhe Avnisë.

Pas pyetjeve te bëra nga avokati mbrojtës dhe prokurorja Disha- Haxhosaj, i erdhi radha pyetjeve te avokatëve të të akuzuarve të tjerë.

Kështu, avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuari Avni Sinanaj. Ndër të tjera i parashtroi pyetjen “Pse në atë kohë vendose me e bartë porosinë për një vrasje?” I akuzuari  Pnishi iu përgjigj “Unë jom rrejtë mbas qatyne pareve që më janë premtu”.

Ndërsa në pyetjet e tjera, reagoi avokati mbrojtës i të akuzuarit Pnishi, duke shtuar se pyetjet qe po i parashtronte avokatja ishin të njëjta me ato në të cilat i akuzuari ishte përgjigjur paraprakisht. Kështu, i akuzuari Pnishi, refuzoi të deklarohet, nën arsyetimin se ishte përgjigjur më parë gjatë kësaj seance. Njëjtë vazhdoi më përgjigjet se është deklaruar më herët edhe në shumicën e pyetjeve të parashtruara nga mbrojtësi e të akuzuarit Murat Sinanaj, avokatit Gëzim Kollqaku, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokatit Arianit Koci.