“Voce Zela nuk ishte diçka që Shqipëria e fitoi kur lindi dhe e humbi kur Voce Zelës zemra i ndali”

0
45

Nga Edison Ypi

Voce Zela

Shqiptarët do ishin shurdhuar nga ulurimat e kongreseve, urratë e aksioneve, trokitjet e çizmeve të parakalimeve nëse të gjitha këto nuk do t’i hidhte në hale 1 zë i vetëm, zëri i gjeniales Voce Zela.
Voce Zela nuk ka qënë kurrë festival, lumturi, parti, atdhe, gërshet.
Voce Zela nuk ka absolutisht asnjë lidhje me materialitetin, vulgatitetin, banalitetin kriminal të kohës së mënxyrtë.
Voce Zela ka qënë, është, dhe përgjithmonë do jetë, vetëm eter, pasion, shpirt.
Voce Zela nuk ishte diçka që Shqipëria e fitoi kur lindi dhe e humbi kur Voce Zelës zemra i ndali.
Voce Zela, ishte, është, dhe do jetë, një frymë e pashkatërrueshme, Kumt Providencial, Mëshirë Hyjnore, që Shqipëria e ka pasur, e ka, dhe gjithmonë do ta ketë.
Voce Zela është ajo flakëza e qiririt që lëshon atë dritëzën e mistershme që nuk e lë shpresën të asgjësohet, nuk e lë terrin të bëhet krejtësisht i zi, nuk e lë udhatarin të humbi udhën në natën e skëtërrëshme.
Voce Zela është ajo arësyeja misterioze që edhe jetës më fatkeqe, i jep një shkak për të qënë deri në fund e dashur.
Kur proletarët ulurinin, fshatarët rënkonin, shkrimtarët shkarravisnin, këngëtarët zhurmonin, të dobëtit spiunonin, të talentuarit vuanin, me talentin e saj gjenial, ndjeshmërinë dhe dashurinë e saj, Voce Zela e pengoi dëshpërimin të bëhej shkatërrimtar.
Për dhjetra vite Shqipëria ka qënë skëterrë dhe shqiptarët ishin skllevër. Por shpresa nuk dha kurrë shpirt, mes tjerash, falë Voce Zelës.
Për të neutralizuar deridiku efektin vdekjeprurës të helmit që villnin plenumet, kongreset, festivalet, filmat, librat, Zoti u solli Shqipërisë dhe shqiptarëve Zërin e vet, Zërin e Voce Zelës.
E pafundme dhe e mbyllur si Universi, Voce Zela u paksoi shqiptarëve robërinë dhe u shtoi Lirinë.
Kur këndonte Voce Zela, dimrin e ngrohte, beharin e freskonte, dhimbjet i paksonte, sëmundjet i shëronte, shpresën e ngjallte.
Voce Zela ende këndon;
“Psherëtin me zë të Saj, jet’ e trembur se mos vdesi”.