VIT I MBRAPSHTË… Qeveri e mbrapshtë….

0
111

Nga Donika Shahini Lami, psikologe

Hidhërim. Zhgënjim. Dhimbje…Pasiguri…
Çdo ditë nga pesëmbëdhjetë jetë të humbura.
Fakti se disa nga qevritarët tonë nuk janë duke vepruar normal, mbase edhe nuk janë në gjendje normale, nuk don shumë mbështetje shkencore për të vulosur një mendim të tillë, tashmë këtë realitet mund ta shohin qartë e mirë edhe të tjerët që nuk janë ekspert të fushës.

Situata është më shumë se shqetësuese dhe tejet emergjenete, kryeministri jonë paraqitet me postime koti, sepse kot e ka edhe qeverinë dhe gjithë këshilltarët e tij.

Na tërheqë kinse vërejtjen për situatën që do të ballafaqohemi në ditët në vazhdim. Sot, na paska treguar se disa lokale paskan qenë plotë mbrëmë, duke aluduar në festën e Bajramit dhe nuk paskan mbajtë distancë!

Mos bre….? Çfarë zbulimi…. e policia ku ka qenë mbrëmë? Çfarë po bëni ju, po vëzhgoni apo …. ? Nuk je ti përfaqësues i ndonjë shoqate joqeveritare, për të tërhequr vërejtje në masë.
Je ekzekutivi i nderuar….
Jo vetëm mbrëmjen e kaluar kryeminister, por çdo natë ashtu e ke. Çdo natë shohim njerëz të grumbulluar brenda lokaleve pa masa mbrojtëse…. Pa distancë….

Por, atë çfarë nuk po e shohim është shteti dhe rendi. Ku jeni ju? Si nuk ju vie turp për neglizhencën që po ua bëni një populli të tërë. Edhe atë duke u fshehur tek fraza e poshtër: “Kosova nuk do të jetë shtet policor”, pse kush po e kërkon atë… ?

Ajo çfarë po kërkojmë ne është rend dhe ligj për të gjithë. Jo të mbyllen çerdhet, shkollat, xhamiat e kishat, e të mbahen hapur pa pikë kontrolle lokalet e ditës e natës….e të lejohen para syve tuaj ahengjet plotë me njerëz!

Çfarë ekonomisiti je ti? A e dini se si po i kalojnë ditët qytetarët e Kosovës me këtë gjendje tmerruese financiare tash… e në fund kryeminister si nuk po të vie turp për postimet që po i bënë ditëve të fundit…Emocionalisht po i ngacmon të rinjtë tonë…
Ke postuar para disa ditësh djalin tuaj të lumtrur duke u pregatitur për mbrëmjen e maturës???
E ke kujtuar me foto lumturinë e tij duke u bërë gati për mbrëmjen e maturës …. para një viti?
A të ka shkuar ndërmend se shumë semimaturant dhe maturant këtë vit nuk patën mundësi të përshëndeten si duhet me mësimdhënësit, bankat shkollore dhe me shoqërinë e tyre?

Nuk patën mundësi të kënaqën në mbrëmjet e maturës për shkak të pandemisë… Këta maturantë ndjehen emocionalisht fort të lënduar prej situatës por edhe prej pa mbështetjes tuaj si shtet…
Pse poston gjëra të tilla kryeminstër?

Çfarë po bën qeveria jote për të përkrahur të paktën moralisht adoleshentët tonë? Çfarë programe mbështetëse ka qeveria jote për këtë kategori… Sot, kam pasur ditë mjaftë të vështirë teksa e dëgjoja dhe nuk doja ti kushtoja vëmendje shumë të madhe vajzës time, kur po më tregonte e kujtonte çdo situatë në shkollë, me mall dhe nostalgji… Në të njejtën gjendje emocionale janë gjithë nxënësit, studentët…

E dija se nuk kam përgjegjje nëse do më pyeste se kur do të mbaron kjo situatë…. Për më shumë se një ore më ka folur edhe për detajet më te vogla të jetës shkollore….Shoqet, shokët, mësimdhënësit, testet, ngacmimet, falemnderimet, pushimet e shkurtëra, aktivitetet.. … Po ju mungon çdo gjë…Janë të vetdijshëm për gjendjen, pandeminë porse edhe po shohin e dëgjojnë se nëpër vendet normale në botë, mësimdhënësit dhe përgjegjësit institucional, po i mbështesin nxënësit me programe të ndryshme verore, programe informative, aktivitete të ndryshme qofshin edhe online, vetëm e vetëm ta ruajnë shëndetin e tyre mendor.

Ju përveq se nuk po jeni në gjëndje të na mbroni fizikisht, duke mos e menaxhuar si duhet situatën me këtë virus të poshtër që po merr jetë, juve nuk ia keni haberin fare se sikurse virusi që po shkatërron çdo gjë, edhe ju jeni duke na shkatërruar çdo ditë e më shumë me mos punën tuaj dhe jo seriozitetin ndaj kësaj gjendje.

Por, çfarë po flas unë këtu…. A jeni ju kryeministri që keni nënshkruar pozitat e zevëndësministrave të pa shkollë e të pa përvojë që të udhëheqin madje madje edhe Ministrinë e Arsimit.. Tmerr…
Kujt po i drejtohem edhe unë se…?

Kosova po vazhdon të mos i jep rëndësi fare shëndetit mendor. Covid-19, ka vështirësuar skajshmërisht sistemin shëndetësor dhe sidomos atë mendor. Njerëzit janë në pasiguri totale. Pa shpresë dhe pa informim për të ardhmën. Agresivitet dhe sjellje prej më të dëmshmet shohim e dëgjojmë çdo ditë.

Pasojat e kësaj gjendje do ti paguajmë të gjithë. Qeveritarët dhe institucionet përgjegjëse nuk e kanë në objektivat e tyre vepruese këtë të vërtetë të madhe dhe të dhimbshme.

Përkushtimi i personave përgjegjës në raport me shëndetin mendor ka qenë zero.
Ne e dijmë se stigamtizimi është rezultat i këtij fakti dhe as më herët, porse as edhe tash gjatë kësaj situate të pandemisë nuk është bërë sa duhet për të vetëdijësuar popullatën që të kërkoj ndihmë dhe të trokas tek institucionet përgjegjëse për ofrimin e ndihmës.

Injorimi i problemeve mendore po na jep shuplakat fytyrës me jetrat e humbura nga dhuna e shtuar familjare ditëve të fundit.

Po flasim për jetën e një gruaje që u shua ditë më parë nga dhuna fizike e ushtruar ndaj saj, nga bashkëshorti, njeriu që do të duhet të ishte dashuria e familjes. Jetën e një nëne. Jetrat e shumë e shumë të dhunuarave që dita e ditës po rriten….Bashkë me shuarjen e këtyre jetrave do të shuhen edhe dëshirat dhe ëndrrat e fëmijëve të tyre. Shuhet edhe siguria për ardhmëri.

Kush dhe sa po punon në këtë drejtim?
Fare pak….Jeta në Kosovë, është vetëm shifër numerike. Fatkeqësisht. Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve mendore janë të shumtë, si: faktorët fiziologjik, gjenetik, emocional, social, ekonomik….
Pastaj, kushtet e jetës, kohezioni social, stresi dhe mbingarkesa, shto këtu edhe mbylljen sociale muajve të fundit për shkak të pendemisë.

Në kushte normale nëse rastet do të raportoheshin, nëse përsonat përgjegjës do të ishin njerëzor dhe profesional, edhe në këtë kohë pandemie do të duheshin të vepronin menjëhërë….me intervenime dhe aktivitete të ndryshme në nivele komunale dhe shtetërore.

Profesionistët e shëndetit mendor duhet të jenë mbështetësit kryesor të komunitetit, duhet të jenë dora që i përqafon këto probleme.. porse sa dhe si po punohet nga të tillët që i gëzojnë postet dhe nuk japin sa duhet nga vetja e tyre, mbase edhe nuk dijnë, po shihet dhe po e jetojmë!

Psikologjia është shkencë, jo aktivitet që mësohet nga trajnimet e që mund të praktikohet nga kushdo….Këtyrë ditëve dëgjojmë e lexojmë se shumë mashtrues ordiner thirren në emer të këshillimeve dhe “ofrojnë” terapi psikologjike…
E dhimbshme dhe do të duhej të denoheshin, të raportoheshin dhe t’u merret leja e punës gjithë atyre që nuk janë profesional për fushat përkatëse.

Kosova nuk është Kinë, neve e dijmë saktësisht se kush dhe si po i ofron këto shërbime. Veç shteti nuk po e din. Sikurse këta përsona edhe shtetin dhe pushtetarët i kemi të padijshëm, injorant dhe mashtrues.

Qeveritarëve tonë nuk ju ka mbetur njerzillëk e as ndërgjegjje. Nuk janë as të vetëdijshëm e as të ndergjegjëshëm. Kush e injoron popullin nuk e meriton respektin dhe besimin e tij…

Besimin e vetëm e kemi tek heronjtë tonë të vërtetë, profesionistët shëndetësor, ata që e duan vendin pa hile, ata të cilët janë të mbingarkuar me punë, ata të cilët janë në ekspozim permanent të rrezikut me Covid, të shpërfillur me pagesa aspak të dinjitetshme, të pa ushyer dhe pa mjete mbrojtëse si duhet, sot dhe çdo ditë janë vetëm ata në mbrojtjen tonë.

Të vetmit që mund të mbështetemi për ndihmë.
Ju paqim!

#Shëndetimbitëgjitha