Vetëvendosja kërkon që Kushtetuesja ta shpallë të pavlefshme votën e Arifit

0
47

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Blerim Sallahu, në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese ka paraqitur argumentet lidhur me kërkesën, që pala që ai përfaqëson ka bërë, për “Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të konsiderohet e zgjedhur, pasi deputeti Etem Arifi e kishte humbur mandatin si deputet pas dënimit me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pretendon se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të votohet me shumicën e të gjithë deputetëve të Kosovës, respektivisht që t’i marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur. Kjo për arsye se Etem Arifi, i zgjedhur si deputet i Kuvendit të Kosovës, e ka humbur mandatin për faktin se është dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej 1 viti e 3 muaj burgim. Përbërja e qeverisë nuk e ka marrë shumicën e nevojshme të votave për zgjedhjen e saj, ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë”.

Sallahu ka thënë se Etem Arifi nuk duhej të certifikohej fare si deputet për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për faktin se Gjykata e Apelit më 20 gusht 2019 e ka dënuar personin në fjalë me 1 vit e tre muaj burgim efektiv. Moszbatimi i nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e KQZ-së është papërgjegjësi totale juridike duke shkelur normat kushtetuese dhe ligjore përkatëse pavarësisht rrethanave faktike dhe juridike momentale të kohës”.

“Certifikimi si kandidat për deputet të Etem Arifit nga ana e KQZ-së është bërë edhe për këto arsye. Etem Arifi ka gënjyer me qëllim duke paraqitur në formularin për certifikim të kandidatit se kandidatura e tij është në përputhshmëri me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Kjo deklaratë përcakton qartë se duhet të jetë në përshtatshmëri me të gjitha pikat e nenit 29 për t’u paraqitur si kandidat për deputet”.

Sallahu ka deklaruar se vota e deputetit Arifi duhet të shpallet e pavlefshme dhe për pasojë edhe vendimi i qeverisë të shpallet kundër kushtetues./KlanKosova