Vetëm 6.9% të anketuarve në Kosovë janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit

0
61

Anketa e Pulsit Publik 19 është realizuar prej 25 nëntor deri më 8 dhjetor 2020, përmes intervistave ballë për ballë me 1.306 qytetarë të Kosovës dhe ofron një përmbledhje të perceptimeve të tyre në lidhje me proceset demokratike, kushtet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin, dhe pandeminë COVID-19.

Anketat e opinionit të Pulsit Publik, të cilat janë duke u zhvilluar që nga viti 2010 dhe financohen bujarisht nga USAID, matin perceptimin e banorëve të Kosovës në 10 tregues kryesor social, ekonomik dhe politik.

Në vijim disa nga të gjeturat kyçe nga përmbledhja e fundit:

Gjetjet e anketës së Pulsit Publik të dhjetorit 2020 tregojnë një rënie domethënëse të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kyçe ekzekutive dhe legjislative të Kosovës krahasuar me anketën e opinionit të kryer në prill 2020, përveç atij me Presidentin e Kosovës, i cili është rritur nga 18.7% në prill 2020 në 33.9% në dhjetor 2020.
Kënaqshmëria me punën e Kryetares së Kuvendit (46.7%) ka rënë me 25.7 pikë përqindjeje nga prilli i vitit 2020 kur u regjistrua në lartësi rekorde prej 72.4%. Niveli i kënaqshmërisë me Kuvendin ka rënë nga 33.4% sa ishte në prill 2020 në 22.6%, ndërsa ai me Kryeministrin ka rënë nga 65.4% në prill 2020 në 23% në dhjetor 2020. Në mënyrë të ngjashme, niveli i kënaqshmërisë me punën e ekzekutivit ka rënë nga 60.7% në prill 2020 në 21.3% në dhjetor 2020.
Tri çështjet kryesore madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (30.9%), varfëria (20.6%) dhe problemet e hapësirës urbane (6.7%).
Në ndërkohë, korrupsioni ka rënë në renditje nga vendi i dytë në të pestin në rangimin e shqetësimeve madhore (nga 23.5% në prill 2020 në 5.1% aktualisht). Pavarësisht nga rënia në pozitën e pestë, mesatarisht, 28% e të anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike në Kosovë.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (59.4%) janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës dhe gratë (60.5%) janë më të pakënaqura sesa burrat (57.2%).
Vetëm 6.9% të anketuarve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Ndërkohë që 64.3% e të anketuarve janë shumë të pakënaqur ose të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës.
Gjithsej 68.4% e të anketuarve deklaruan që ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë që është një rënie prej 17.9 pikë përqindjeje krahasuar me prillin 2020.
Gjithsej 45.9% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare, krahasuar me 66.3% në prill 2020.
Rënie është regjistruar edhe në perceptimet nëse institucionet lokale dhe qendrore punojnë sipas prioriteteve të popullit të Kosovës, përkatësisht me 41.5% dhe 30.6%, krahasuar me prillin 2020 kur këto shifra ishin 56.7% dhe 54.9%.
Gjithsej 78.1% e të anketuarve konsiderojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore.
Qëndrimet ndaj votimit kanë ndryshuar dukshëm ku 34.1% e të anketuarve deklaruan se vota e tyre mund të sjellë ndryshime, krahasuar me 46.7% në prill 2020. Nga ana tjetër, 27.4% konsiderojnë se vota e tyre nuk mund ta ndryshojë situatën në Kosovë, krahasuar me 26.8% në prill 2020.
Gjithsej 8.2% e të anketuarve thanë se dinë shumë lidhur me të drejtën për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, 27.4% pohuan se kanë njohuri mesatare, 37% e të anketuarve thanë se pak dinë për këtë temë dhe 27.4% thanë nuk kanë fare njohuri.

68.7% (65.9% në prill 2020) e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 46.9% (40.7% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik, dhe 52.8% (59% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.

Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se ndikimi i COVID-19 në mirëqenien ekonomike ka qenë thelbësor tek të anketuarit nga të gjitha komunitetet etnike; 69.5% e shqiptarëve të Kosovës, 40.4% e serbëve të Kosovës dhe 71.2% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës raportuan ndikim negativ të COVID-19 në mirëqenien e tyre ekonomike.
Të anketuarit u pyetën edhe nëse janë të kënaqur me masat e marra nga institucionet publike të Kosovës për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Të dhënat sugjerojnë përmbysjen e perceptimeve krahasuar me prillin 2020, me shumicën e të anketuarve (58%) që janë të pakënaqur me masat e qeverisë së Kosovës dhe vetëm 15.6% të kënaqur. Kjo është një rënie e madhe e kënaqshmërisë nga anketa e opinionit e prillit 2020, kur 78.8% shprehën kënaqshmërinë me reagimin e qeverisë së Kosovës ndaj krizës së shkaktuar nga shpërthimi i COVID 19.