Vërtetohet aktakuza ndaj zyrtarit komunal që kishte lidhur 45 martesa në kundërshtim me ligjin

0
104

Gjykata e Apelit, me datë 26.02.2021, ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë-Departamenti i Krimeve të Rënda më të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Skenderaj, Kujtim Bekaj, i akuzuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, raporton Drejtësia Sot.

Kështu, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të siguruar nga Drejtësia Sot, është refuzuar si e pa bazuar ankesa e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit, av. Sylejman Klinaku, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza në fjalë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 22.01.2021, kishte nxjerr aktvendim duke refuzuar si të pabazuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Bekaj.

Ndryshe, kundër këtij aktvendimi, av.Sylejman Klinaku, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e shkallës së dytë, duke propozuar që të aprovohet ankesa si e bazuar dhe të anulohej aktvendimi i ankimuar duke e hudhë poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ndaj ankesës së parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Bekaj, Prokuroria e Apelit në Prishtinë, me një parashtresë kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se, pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit nuk janë të bazuara ngase gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë, ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur ndaj Kujtim Bekajt ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.

Tutje në arsyetim thuhet se, gjykata e shkalles së parë, ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat janë marr në harmoni me dispozitat ligjore dhe të njëjtat nuk mund të shpallen si prova të papranueshme.

Ndërsa sa i përket pretendimit të mbrojtësit, se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë vërtetimin e drejt dhe të plotë. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit këto pretendime janë të pabazuara sepse aktakuza e ngritur është mbështetur në prova dhe materiale të mjaftueshme në bazë të të cilave krijohet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Ndryshe, dyshimi i bazuar mirë vërtetohet nga deklaratat e dëshmitarëve, provave materiale, si vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve-dosjeve të lëndëve nga Zyra e Gjendjes Civile, Procesverbalet mbi kontrollimin dhe shqyrtimin e dokumentacioneve e të tjera, thuhet me tutje në vendimin e Apelit.

Kështu, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se gjykata e shkalles së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit Bekaj av.Sylejman Klinaku, për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës si të pabazuar.

Kujtojmë se, i pandehuri Kujtim Bekaj, si person zyrtar, zyrtar i gjendjes civile në komunën e Skenderajt, gjatë periudhës kohore 2014-2017, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore persona të tjerë.

I njëjti, në kundërshtim me Ligjin për Gjendje Civile, ka bërë lidhjen e 45 martesave të personave kosovar me persona tjerë, shtetas të huaj, pa u plotësuar kushtet për lidhjen e martesës, duke mos qenë prezent personat për lidhjen e martesës, dëshmitarët, përkthyesit si dhe pa vërtetuar identitetin e personave.

Pastaj, lidhjet e martesave i ka futur në sistemin elektronik të gjendjes civile dhe ka lëshuar dokumente për lidhjen e martesave, certifikata martesore, të cilat janë shfrytëzuar nga shtetasit kosovarë për marrjen e vizës dhe rregullimit të lejes së qëndrimit në shtetin e Gjermanisë.

Nga këto pretendime të prokurorisë, i pandehuri Kujtim Bekaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës, të pandehurin Bekaj, e ngarkon me veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, ashtu që në dokumentet zyrtare ka shënuar të dhëna të rreme, pastaj me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentet zyrtare, ashtu që, ka përpiluar procesverbalet, deklaratat, deklaratat e kurorëzimit, deklaratat solemne, shpallja martesore.