Vendimet që mori Kryesia e Kuvendit të Kosovës

0
84

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar një varg çështjesh që lidhen me aspekte të brendshme të punës dhe funksionimit të Kuvendit.

Kështu, me iniciativën e kryetares Osmani, Kryesia miratoi vendimin për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile, asaj fikse dhe reprezentacionit, si për stafin politik, ashtu edhe për administratën e Kuvendit.

Po ashtu, Kryesia njëzëri miratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, e hartuar në koordinim me përfaqësuesit e mediave dhe miratimit paraprak të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe mbështetjen e NDI-së.

U miratua gjithashtu edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për periudhën janar-mars 2020, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ndërsa kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit të rishikuar dhe të buxhetit të rishikuar për vitin 2020, u procedua në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.