Vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe krejt çka tregoi Avdullah Hoti për vizitat në Uashington dhe në Bruksel

0
160

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar tri projektligje, pesë vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik dhe disa vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitat në Uashington dhe Bruksel, si dhe për takimet e zhvilluara atje. Ai ka theksuar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë është një hap drejtë arritjes së marrëveshjes se gjithanshme finale me Serbinë. Në aspektin ekonomik, marrëveshja identifikon projekte dhe financime miliardëshe për realizimin tyre, ndërsa në aspektin politik marrëveshja shënon edhe një hap në ndërtimin e identitetit diplomatik të shtetit të Kosovës me njohjen nga Izraeli. Kryeministri Hoti ka rikujtuar se gjatë vizitës në Uashington janë zhvilluar edhe takime të tjera të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikan, duke veçuar takimin me sekretarin e shtetit Majk Pompeu dhe takimet në MCC. Kryeministri ka thënë para kabinetit qeveritar se shumë shpejt do të kemi në Qeveri edhe planin e punës për realizimin e marrëveshjes në Uashington, e cila ishte e suksesshme.

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin edhe për vizitën në Bruksel dhe takimet që ka zhvilluar atje. Në Bruksel ka pasur takimin e nivelit të lartë më palën serbe për çka do të raportohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Gjatë vizitës në Bruksel janë zhvilluar takime me zyrtarët evropianë për temat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike dhe për Agjendën e Reformave Evropian.

Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri ka zhvilluar edhe një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku është vlerësuar bashkëpunimi i mirë gatishmëri e dyanshme për të thelluar këtë bashkëpunim në të mirë të paqes dhe sigurisë në rajon.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është projektligji i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar. Projektligji trajton çështjen e ratifikimit të marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, Objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Me hyrjen në fuqi, Marrëveshja financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, Objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian bëhet edhe miratimi i programit vjetor IPA 2019, pjesa e dytë, Objektivi 1, me anë të të cilit do të zbatohet asistenca e dhënë nga BE-ja për Kosovën në kuadër të IPA-s në formë të projekteve të përshkruara në kuadër të marrëveshjes në fjalë. Kjo është në përputhje të plotë me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2020-2023.

Është miratuar nga kabineti qeveritar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes kornizë për kredi ndërmjet bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës – instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj covid-19. Marrëveshja siguron mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në përpjekjet e saj për t`i ofruar shërbimet mjekësore ndaj të prekurve nga virusi COVID-19. Financimi nga kjo kredi do të ndërlidhet edhe me shpenzimet veçse të bëra nga Qeveria e Republikës së Kosovës si rrjedhojë nga kriza e shkaktuar nga COVID-19, e në përputhje me vendimin e Qeverisë 04/0610 të muajit mars 2020, si dhe do të financojë një pjesë të masave për mbështetje sociale dhe ekonomike të parashikuara në Vendimin të Qeverisë së Republikës së Kosovës 01/19 të datës 30 mars 2020. Më konkretisht, do të mbuloj shpenzimet e pagesës se shtesës për ngarkesën në punë për punonjësit e vijës së parë të frontit të cilët po luftojnë virusin COVID-19, dhe të punonjësve të bizneseve që vazhduan furnizimin me mallra esenciale.

Miratimin e Qeverisë ka marr edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për deminim humanitar. Ky projektligj do të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar i cili ka përcaktuar aktivitetin e deminimit humanitar, institucionet kompetente, kushtet dhe kriteret për akreditimin e organizatave që merren me deminim humanitar. Plotësimi dhe ndryshimi është iniciuar si rezultat i miratimit të tri ligjeve të reja bazike për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes me të cilat është bërë ndryshimi i mandatit ligjor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, respektivisht riorganizimit dhe kalimit të Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes. Kjo gjë ka rezultuar edhe me ndryshimin e legjislacionit tjetër përkatës, si nevojë e inkorporimit të ndryshimeve ligjore të ndodhura.

Ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme Udhëzimi administrativ për formën dhe përmbajtjen e shenjës së konformitetit dhe mënyrën e njohjes së dokumenteve të huaja të konformitetit. Bazuar në Ligjin për Kërkesat Teknike të Produkteve dhe Vlerësim të Konformitetit, është përcaktuar miratimi i Udhëzimin administrativ për formën dhe përmbajtjen e shenjës së konformitetit dhe mënyrën e njohjes së dokumenteve të huaja të konformitetit. Udhëzim përcakton formën dhe përmbajtjen e shenjës së konformitetit që përdoret në Republikën e Kosovës sipas parimeve të përgjithshme për përdorimin e saj, siç është përcaktuar me Ligjin për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësimin e Konformitetit.

Miratimi i këtij Udhëzim Administrativ ndërlidhet me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), përkatësisht nenin 80 “Standardizimi, Metrologjia, Akreditimi dhe Vlerësimi i Konformitetit” pasi që siguron një lehtësimin në zbatimin e politikave për lëvizjen e lirë të mallrave në përputhje me ligjin e BE-së duke rritur informacionin dhe besimin në produktet e vëna në dispozicion të tregut. Me njohjen e disa dokumenteve të huaja të konformitetit, Kosova promovon përdorimin e rregullave teknike të BE-së, standardeve evropiane dhe procedurave të vlerësimit të konformitetit, andaj edhe konsiderohet si prioritet i Qeverisë.

Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme ka marr edhe vendimi për miratimin e kërkesës së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për anashkalimin e procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe përfshirjen e Projektligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Investime Strategjike në Programin Legjislativ të vitit 2020 pa kaluar paraprakisht përmes procedurës së aprovimit të Koncept Dokumentit. Propozuesi ka arsyetuar këtë shmangie me arsyen se Ligji për Investime Strategjike ka afatin e zbatueshmerisë deri më 31 dhjetor 2020 dhe kjo kohë e mbetur nuk mjafton për të përmbushur të gjithë hapat procedural paraprak të hartimit dhe miratimit të Koncept Dokumentit për këtë fushë. Duke pasur para sysh rëndësinë e këtij ligji për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës Qeveria ka miratuar vendimin për lejimin e anashkalimit të procedurës sa i përket hartimit të këtij projektligji.

Katër vendime preliminare për shpronësimin e pronave për interes publik të cilat preken nga realizimi i projekteve të interesit publik kanë marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

1. Shpronësimi i pronave të cilat preken nga ndërtimi i „Shiritit për rreshtim“ për hyrje në Ambasadën Amerikane në Prishtinë;

2. Pronat e paluajtshme të cilat preken nga restaurimi dhe konservimi i objektit „Shtabi i UÇK-së në Kosterc“, Komuna e Skenderajt;

3. Pronat të cilat preken nga ndërtimi i „Poligonit kryesor të trajnimeve“ për nevojat e FSK-së në Babaj të Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Cerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës; dhe

4. Pronave të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimin e “Çerdhes së fëmijëve” dhe “Këndit për të moshuar“ në Studentçan të Komunës së Suharekës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat do të preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Sheshit të Qytetit” në Obiliq.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për ndërtimin e shtëpisë për fëmijët e familjes Mavroqani nga komuna e Kamenicës. Këta fëmijë në një ngjarje tragjike dhe kriminale në shtëpinë e tyre humbën nënën nga akti kriminal i vrasjes nga babi i tyre dhe tani kanë mbetur pa prindër. Qendra Sociale e Komunës së Kamenicës dhe shërbimet shëndetësore psikologjike kanë rekomanduar që fëmijët të mos kthehen në shtëpinë e tyre të vjetër ku ka ndodhur krimi i rëndë për arsye të efekteve psikologjike që mundë të shkaktohen në ndërtimin e personalitetit të tyre.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe Koncept Dokumentin për Prokurimin Publik në Kosovë. Prokurimi Publik vlerësohet si një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik që përbën një të pestën e bruto produktit vendor dhe se gjysma e buxhetit të shtetit shpenzohet përmes procedurave të prokurimit. Nisur nga kjo, vlerësohet se procesi i reformimit, ndryshimit dhe përmirësimit të sistemit të prokurimit publik është i nevojshëm edhe për të përcjell zhvillimet bashkëkohore në avancimin e teknologjisë informative, ngritja e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës si dhe avancimit të zhvillimit ekonomik, social dhe përafrimit dhe harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Koncept Dokumenti rekomandon hartimin e Ligjit të ri për prokurim publik.