Vegim Qerkezi rivarroset në Gjakovë, trupi i të cilit dikur u gjet në lumë

0
786

Trupi i Vegim Kasim Qerkezi, i rrëmbyer nga forcat serbe në marsin e vitit 1999 i cili u identifikua ditë më parë e që për 21 vite ishte i varrosur në fshatin Dodaj të Kukësit nga sot do pushojë në varrezat e dëshmorëve në Çabrat të Gjakovës.
Ceremonia e rivarrimit fillimisht nisi me homazhe tek arkivoli me trupin e pajetë të Vegimit, ku të pranishëm ishin një numër i madh i familjarëve, miqve e qytetarëve nga gjithë vendi si dhe zyrtarëve institucionalë.
Mes emocionesh e lotësh, Vegimi që u rrëmbye kur ishte vetëm 18-vjeç, u kujtua dhe nderua edhe përmes akademisë përkujtimorë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi tha se ditët si kjo e sotmja na përkujtojnë se si qeveri duhet të angazhohen në dy drejtime që të ushtrojnë presion mbi palën serbe për të dhënë informacione për pjesën tjetër të të pagjeturve dhe gjykimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer këto krime.
“Dhimbja dhe vuajtjet po vazhdojnë, familjeve dhe Kosovës në përgjithësi akoma iu mungojnë edhe 1648 persona, për të cilat Serbia, shteti që kreu këto krime refuzon të jap informacionet apo edhe ti kthej trupat në atdheun e tyre. Asnjë proces bisedimesh, asnjë marrëveshje e paqe e qëndrueshme, nuk mund të arrihet pa zbardhjen e fatit të më të dashurve tonë dhe pa ndëshkimin e atyre që kryen këto krime!”, ka thënë ai.
Ndërsa Prokurorja Drita Hajdari që u angazhua për identifikimin e trupit thotë se rastin e ka që nga viti 2017 kur është bërë bartja e kompetencave nga EULEX-i te Prokuroria vendore.
Ajo tregon se kishin pak informacione se kush mund të ishte personi, por kujton se e kanë quajtur ‘varri i kosovarit”.
“Është hapi i dytë tash, kur ne në Prokurori do të hetojmë rrethanat e vrasjes së tij dhe kryesit të mundshëm”, tha ajo, që këtë rast e mori me vetiniciativë.
Ndërsa kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se kthimi i eshtrave të Vegimit është një lloj lehtësimi në dhimbjen e madhe që ka kjo familje.
“Fatkeqësisht duhet me i hap, me i rihap, e me i mbyll plagët e luftës, plagë jashtëzakonisht të thella, që për ata që i kanë humbur më të dashurit nuk mbyllen kurrë”, tha Gjini, duke shtuar se krejt këto plagë janë shkaktuar me qëllim./oxygenpress.info