Vazhdon gjykimi për krime lufte në Nerodime të Epërme, dëgjohen edhe tre dëshmitar tjerë të prokurorisë

0
58

Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamentit Special, ka vazhduar gjykimi ndaj Zllatan Krstiç dhe Destan Shabanaj, të akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile në Nerodime të Epërme, raporton Drejtësia Sot.

Në gjykimin e sotëm janë dëgjuar edhe tre dëshimtar tjerë të propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Fillimisht dëshmitarja A. R., tregoi se në ditën kritike të 26 marsit 1999, rreth orës 6 të mëngjesit në shtëpinë e saj kishin hyrë forcat paramilitare serbe, të cilat i kishin marrë bashkëshortin, tani të ndjerin I. R. Më tutje ajo tha se pas një muaji e ishte gjetur burrin e saj të vdekur dhe të varrosur në varrezat e qytetit të Ferizaj.

Ajo shtoi se e kishte parë të akuzuarin Destan Shabanaj, kur kishin shkuar të bënin zhvarrosjen e kufomës së bashkëshortit të saj për të cilat kishin marrë informacion nga një gjyqtare hetuese me emrin Liljana, që ishte punuar në Gjykatën Komunale të Ferizajit.

Ndërsa dy dëshmitarët tjerë, M. K. dhe Rr. S., tregun se më 26 mars 1999, kishin dëgjuar të shtëna në fshatin Nerodime e Epërme dhe po ashtu kishin parë duke u djeguar shtëpitë e tani të dëmtuarëve të familjes Nuhaj.

Të njejtit thanë se pas dy ditëve kishin kuptuar se janë vrarë nga forcat serbe katër antërë të familjës Nuhaj.

Pas përfundimit të dëshmitarëve të sotëm, gjyqtari i çëshjtes Musa Konxheli, ndërpreu gjykimin e sotëm për të vazhduar më 17 dhjetor 2020, në ora 09: 30, me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi, i akuzuari Zllatan Krstiç, akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zllatan Krstiç me datë 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht të 19 anëtarëve të një familje që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Ndërsa i akuzuari D.Sh, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civil, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt (IV) të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, në ndërlidhje me Protokollet Shtesë për katër Konventat e Gjenevës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Destan Shabanaj, me 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N. dhe I.R., të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

E me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me nenin 146 si Krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës.