Vaxhid (Zekë) Ademi, rrobaqepës në Preshevë

0
98

Nga Ferid Selimi

Vaxhid (Zekë) Ademi lindi në Rahovicë të Preshevës vitin 1934. Ishte njëri nga tetë fëmijët e Zekës i mëhallës të haxhiajve të Rahovicës. Në moshën 15 vjeçare, derisa mësonte në dhomë, vëllai i tij më i vogël gjen një bombë të ndryshkur, dhe si fëmijë, nga kurioziteti i heq siguresën, bomba plas dhe Vaxhidi nuk arrin të ik, e plasja e bombës ia këput njërën këmbë deri në gju. Prej atëherë mbetet invalid në njërën këmbë). Ashtu me një këmbë nis zanatin e rrobaqepësisë në Rahovicë te Stojani (Velicki). Pasi përfundon zanatin, hap punëtori në Selishte të Rahovicës, punëtori të cilën e mban nga viti 1963 deri në vitin 1974. Gjatë kohës sa e kryente këtë veprimtari pati disa çirakë, ndër ta edhe Nexhbedin Xhelilin dhe Skender Hasanin (vëllai i Vaxhidit). Në vitin 1974 mbyll veprimtarinë e rrobaqepësisë (punon në shtëpi gjatë kohës së lirë, vetëm me porosi) dhe punësohet së pari si korrier në Kuvendin Komunal të Preshevës, e më pas si roje, punë që e bën deri në pension. Ajo që e bën të veçantë Vaxhidin, është se megjithëse invalid në një këmbë, ai voziste motoçikletë dhe me motoçikletë shpërndante thirrjet a vendimet që merrte komuna për qytetarët e Preshevës.
Vdiq në vitin 2014, duke lënë prapa tre djem: Avniun, Arbenin e Shenasiun, të cilët me familjet e tyre jetojnë në Rahovicë të Preshevës, Zvicër e Amerikë.
Në Foto: Vaxhid (Zekë) Ademi.