Varësia nga lojërat cilësohet çrregullim i shëndetit mendor

0
170

Shumë prindër mund ta kenë menduar për një kohë të gjatë, mirëpo tani kanë arsye se pse mund të kufizojnë kohën e fëmijëve të tyre “para ekranit”.

Varësia nga lojërat kompjuterike është njohur si çrregullim i shëndetit mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Të dhënat e fundit të kësaj organizate e përshkruajnë varësinë nga këto lojëra si “një model të përsëritjes së vazhdueshme të lojërave” e cila më pas bëhet aq e shprehur sa që “ka përparësi ndaj interesave tjera në jetë”.

Sipas organizatës, çrregullimet kanë karakteristika të ngjashme me ato të abuzimit me substanca, humbje të kontrollit ndaj aktiviteteve tjera dhe humbje të interesit për shoqëri.

Klasifikuesi Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD), i cili është përditësuar në 10 vjetët e fundit përfshin 55,000 lëndime, sëmundje dhe shkaqe të vdekjes.

Ky dokument përbën bazë për OBSH-në dhe ekspertë tjerë për të parë dhe për t’iu përgjigjur trendeve në shëndetësi.

“Kjo na mundëson që të kuptojmë më shumë se çfarë shkakton sëmundjen apo vdekjen e personave dhe si të marrë masa parandaluese për të shpëtuar jetë”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Versioni i fundit i këtij dokumenti, i njohur si ICD-11 është plotësisht elektronik për herë të parë, në mënyrë që të jetë më e lehtë për mjekët dhe punëtorët shëndetësorë që t’i qasen të njëjtit.

Versioni i fundit i këtij klasifikuesi është planifikuar të prezantohet nga vendet anëtare të OBSH-së në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në maj të vitit 2019, ka bërë të ditur organizata përmes një deklarate.

Përndryshe, në një raport të publikuar vitin e kaluar nga Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, është thënë se 1 në çdo 3 përdorues të internetit në botë është fëmijë.

Raporti me titull “Fëmijët në Botën Digjitale”, ka prezantuar analizën e parë të këtij Fondacioni për mënyrën se si teknologjia digjitale është duke ndikuar në jetën e fëmijëve, duke identifikuar rreziqet dhe mundësitë.

Ndër të tjera në raport përmendet se:

-personat e rinj janë më së shumti të interesuar për qasje në internet

-të rinjtë afrikanë kanë më së paku qasje në këtë “botë”

-pothuajse 56 përqind e të gjitha faqeve elektronike janë në gjuhën angleze dhe disa fëmijë nuk mund të gjejnë atë për cilën kanë interes.