Vaksinimi gjatë shtatëzanisë i rrezikshëm për nënën dhe foshnjën 

0
117

Vaksina e fruthit nuk mund të kryhet gjatë shtatzënisë sepse rrezikohet jeta e nënës dhe fëmijës.

Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se mjekët këshillojnë që vaksina e fruthit të bëhet minimum 28 ditë para se gratë të ngelin shtatzënë.

“Nëse nuk jeni të mbrojtura nga fruthi dhe infektoheni gjatë shtatzënisë, ju rrezikoni: të abortoni apo të lindni bebin të vdekur; të lindni bebin parakohe (para javës së 37-të të shtatzënisë) dhe të lindni bebin nën peshë”, shprehet ISHP.

ISHP këshillon se “nëse jeni shtatzëna dhe keni rënë në kontakt me dikë të infektuar me fruth, ndërkohë që nuk jeni të mbrojtura, ju duhet të takoni mjekun e familjes sa më shpejt të jetë e mundur. Ai do t’ju këshillojë rreth masave që duhet të merrni për të zvogëluar rreziqet e lartpërmendura”.

Sipas ISHP-së vaksinimi kryhet sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç.

Po ashtu edhe vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pa vaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth.

Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. /ATSH/OxygenPress.info