Vaksina Pfizer: Opozita i reagon Prokurorisë për nisjen e rastit “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”

0
149

Opozita ka reaguar pasi Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Zëdhënësi për media në Partinë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se hapja për hetim për “veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare”, është bërë me urdhrin politik të Arben Vitisë, ministrit të Shëndetësisë, dhe Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, ky sipas tij është sulm direkt ndaj demokracisë liberale dhe vlerave të saj.

“Ligji për kategorizimin e një dokumenti sekret është rregulluar shumë qartë, blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret. Përkundrazi, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalon Kosova, blerja e vaksinave është prioritet mbi çdo prioritet tjetër dhe transparenca për sigurimin dhe administrimin e tyre është gjëja më bazike që do të duhet të bëj qeveria e Albin Kurtit”.

Ai ka theksuar se Vitia e ka rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosoës për shkak të vonave të vaksinave.

“Në fund, ftoj Prokurorinë e Shtetit në çdo nivel që mos të bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit, por ta bëjnë punën e tyre të pavarur larg çdo ndikimi!”.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka theksuar se Prokuroria e Shtetit do të duhej të hetonte ministrin për mosfurnizim të vendit me vaksina.

“Tash janë dy çështje që Prokuroria duhet të sqaroj për organet e drejtësisë dhe qytetarët: A ka gënjyer Ministri i Shëndetësisë mbrëmë kur demantoi lajmin për sigurim të vaksinave – gjë që është dashtë të shoqërohet me padi për shpifje ndaj gazetës në fjalë? Apo lajmi i gazetës online Insajderi.org paska qenë në fakt i vërtetë dhe është cilësuar tashmë si zbulim i fshehtësisë zyrtare?”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Facebook.

Kurse, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qeverisje jo t ë mirë.

“Në asnjë vend normal, nuk kërcënohet media për publikimin e informacionit. Në vende demokratike, e drejta për t’u infomuar, qëndron mbi çdo të drejtë tjetër. Ajo ështe absolute. Në mungesë të veprimit dhe rezultateve, nuk mund të fshihesh pas sekretit shtetëror. Përpos se kur prapa një sekreti të tillë, synohet të fshihet ndonjë agjendë e dyshimtë dhe kundër interesit të përgjithshëm, atij publik. Ata që dje me hov e nisën me shtetin ligjor, sot po duan ta konfiskojnë transparencën. Pfizer dhe transparenca e mohuar, janë ilaçi kundër Covid – 19, dhe kundër deformimeve që po i bëhen demokracisë’, ka shkruar ai.