Vaksina e Oksfordit nuk është mbi 90% efektive sa të tjerat, por sërish ka përparësi

0
50

Vaksina Covid-19 e zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca mund të mbrojë 70.4% të njerëzve nga sëmundja dhe – në një rezultat të papritur – deri në 90% nëse përdoret një dozë e parë më e ulët, rezulton nga provat përfundimtare.

Vaksina e Oksfordit është e treta që prodhon rezultate efektive, pas kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, vaksinat e të cilave janë krijuar me një tjetër teknologji. Të dyja vaksinat raportohet se janë pothuajse 95% efektive, ndërkohë që Pfizer ka aplikuar për licensë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ndonëse rezultatet e vaksinës së Oksfordit mund të mos duken kaq të mira sa ato të Pfizer/BioNTech dhe Moderna, shkencëtarët thonë se nuk janë të krahasueshme, sepse ata kanë përfshirë në studim njerëz që sëmuren me simptoma mesatare si edhe njerëz të sëmurë rëndë, ndryshe nga dy të tjerat. Vaksina e tyre duket se ka përparësi sepse është e qëndrueshme në frigorifer, transportohet lehtë dhe mund të përdoret kudo në botë. Gjithashtu është më e lirë, rreth £3 (afro 400 lekë) në krahasim me çmimin e vaksinave të tjera, diçka më shumë se £20 (afro 2,700 lekë).

Britania e Madhe ka porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, e cila është thelbësore për planet e saj të vaksinimit pandemik. Prodhimi ka filluar tashmë dhe 4 milionë doza janë furnizuar deri tani, të cilat nuk mund të përdoren derisa të licencohet vaksina.

Vaksina e Oksfordit ka treguar se funksionon edhe te njerëzit e moshuar si edhe te grupmoshat e reja. Ka indikacione që gjithashtu mund të ndihmojë në ndalimin e transmetimit të sëmundjes.

Burimi: Guardian