Vaksina 94,1 % efikase, “Moderna” paraqet kërkesën për autorizim në SHBA dhe Europë

0
57

Kompania amerikane “Moderna” njoftoi sot se do të paraqesë të hënën kërkesa për autorizime me kusht për vaksinën e saj antiCOVID-19 në SHBA dhe Europë, pasi rezultatet e plota konfirmuan një efikasitet të lartë të vlerësuar në 94,1%.

Dy javë pasi njoftoi një efikasitet 94,5%, i bazuar në rezultate paraprake, “Moderna” raportoi se nga 196 pjesëmarrës në provën e saj të madhe klinike, që u sëmurën me COVID-19, u llogarit një efikasitet prej 94,1% e vaksinës.

“Kjo analizë parësore pozitive konfirmon aftësinë e vaksinës sonë për të parandaluar COVID-19 me një efikasitet prej 94,1% dhe, në mënyrë të konsiderueshme, aftësinë për të parandaluar formën e rëndë të COVID-19”, tha Stéphane Bancel, kreu i “Moderna”-s.

Kjo do të thotë se personat e vaksinuar patën një reduktim me 94 % të rrezikut për t’u infektuar me COVID-19, të krahasuar me personat e pavaksinuar, një efikasitet i ngjashëm me atë të vaksinës nga Pfizer / BioNTech (95%), që është statistikisht e ngjashme.

Asnjë formë e rëndë e sëmundjes nuk u shfaq në mesin e grupit të vaksinuar të pjesëmarrësve, të krahasuar me 30 në grupin e personave me simptoma të lehta.

“Moderna” raportoi se nuk u vunë re efekte anësore serioze te vullnetarët e vaksinuar, por nuk tha qartë nëse efekte anësore serioze u vunë re, fillimisht.

Më 16 nëntor, ajo njoftoi se vaksina në përgjithësi tolerohej mirë dhe nuk kishte ngritur ndonjë shqetësim të rëndësishëm për sigurinë./ATSH