“Unë s’di gjë fare, por e njoh shpirtin e vajzës sime më mirë se kushdo tjetër”

0
52

Nga Sabrina Ferri

Një vajzë nisi të mbushej me urrejtje ndaj së ëmës.
I thoshte:
“Pse i fut hundët në jetën time, mami?”
“Më lër të qetë, mami!”
“Nuk ka ç’të duhet, mami!”
“Ik zhduku, mami!”
“Të urrej, mami!”
Një ditë, e ëma e dëgjoi vajzën tek qante në dhomën e saj. Trokiti në derë plot ankth.
“Çfarë do?” – bërtiti vajza duke fshirë lotët.
“Dua të flasim, thjesht të flasim.”
“Hajde!”
Vajza u krodh poshtë çarçafëve. Nuk donte ta shihte të ëmën në sy e të ndeshte atë vështrimin e saj të frikësuar.
– A mund ta di pse je akoma në dhomën time? Ta kam thënë me mijëra herë se të urrej e ti vazhdon të vish prapë këtu.
– Dil nga poshtë çarçafëve dhe shikomë, të lutem. Të kam sjellë diçka.
Vajza u gëlltit dhe me aromën e lotëve ende në gojë, doli nga strehëza e saj e vogël.
– Merre, bijë.
– Çfarë është kjo?
– Kuti.
– Duhet ta hap?
– Po.
– Po tallesh me mua? Brenda saj s’paska asgjë.
Nëna psherëtiu dhe e ledhatoi ëmbëlsisht të bijën.
– S’është e vërtetë që s’ka asgjë, bijë. Brenda kësaj kutie gjendet vetë dashuria.
– Çfarë thua, aman?
– Kjo është kutia e dashurisë, bijë. Ma ka dhuruar gjyshja jote shumë kohë më parë. Thuhet se këtu brenda ruhet dashuria e të gjitha nënave të botës, përfshirë edhe timen.
– S’mund të më duash pas gjithë atyre fjalëve që të kam thënë!
– Unë të dua më shumë se çdo gjë tjetër, Ana. Ti mund edhe të më urresh e të më largosh nga jeta jote, por unë do të vazhdoj të të dua. Të kam dashur qysh kur të ndjeva tek rriteshe brenda meje. Qysh atëherë, të kam dashur pa pushim.
– Jam keq, mam. Jam shumë keq këtu brenda. Ndihem aq e brishtë, sa kam frikë se do të thërrmohem nga çasti në çast.
– E di, bijë, e di.
– Ti di gjithmonë gjithçka, apo jo?
– Në fakt, unë s’di gjë fare, por e njoh shpirtin e vajzës sime më mirë se kushdo tjetër.
– Mam, kjo kutia që më dhe ti… a do të më bëjë të ndihem më mirë?
– Zemër, kutia do të të ndihmojë të kuptosh se dashuria e një nëne nuk shterron asnjëherë, e se për sa kohë që unë do të jem gjallë, ti mund ta kapësh dorën time e ta shtrëngosh foort, sa herë ta ndjesh të nevojshme… Sepse unë nuk ta lëshoj dorën, Ana. Nuk ta kam lëshuar kurrë. Edhe kur të vijë koha që ti të ndjekësh rrugën tënde e ta ndërtosh jetën jashtë këtyre mureve, nuk duhet të harrosh se unë do të jem gjithmonë diku në një qoshk, duke të pritur për të të falur dashurinë time… do të jem gjithmonë!