UNDP, financuar nga Dukata e Madhe e Luksemburgut, dorëzon kuponë për 2.000 familje të përfituese të ndihmës sociale

0
113

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVID-19, dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë, i dorëzoi sot Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)/Departamentit për Politika Sociale dhe të Familjes kuponë që do t’u shpërndahen 2.000 familjeve që janë përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale. Kjo mbështetje, që zbatohet për herë të parë në Kosovë, do t’u mundësojë këtyre familjeve të blejnë ushqim, produkte higjienike dhe gjëra të tjera elementare për të cilat kanë nevojë urgjentisht gjatë tre muajve të ardhshëm. Kjo ndihmë realizohet përmes përkrahjes së drejtpërdrejt financiare nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe i dedikohet familjeve me kushte të vështira, kryesisht atyre me vetëm një prind dhe familjeve të tjera në situata të cenueshme.

Në ceremoninë e dorëzimit të kuponëve ishin prezent Z. Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Znj. Shkipe Deda-Gjurgjiali, Menaxhere e Portofolit për Zhvillim të Qëndrueshëm në UNDP, Z. Mentor Morina, Drejtor i Departamentit për Politika Sociale dhe të Familjes (DPSF), dhe përfaqësues të MPMS-së, DPSF-së dhe UNDP-së.

Ministri Reçica, i cili pranoi kuponët që do t’u shpërndahen përfituesve deklaroi: “Në këtë situatë të vështirë pandemike, të ndihmosh familjet nga grupet e cenueshme përfituese të asistencës sociale, tregon më së miri gjithë angazhimin dhe zotimin tonë si MPMS-së, për të qenë pranë qytetarëve që kanë nevojë për t’ju dhënë një dorë mbështetjeje. Dua të falënderoj dhe shpreh mirënjohje për qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetjen financiare dhe UNDP-në për zbatimin e skemës për të mbështetur sa më shumë përmbushjen e nevojave të grupeve të cenueshme. Për tre muajt e ardhshëm, këto grupe të shoqërisë do të kenë ndihmë financiare shtesë që do t’ua lehtësojë paksa jetën”.

Shkipe Deda-Gjurgjiali nga UNDP theksoi rëndësinë e skemës pilot që po implementohet për herë të parë në Kosovë: “Situata e njerëzve që jetojnë me ndihmë sociale është përkeqësuar edhe më shumë me pandeminë. Me anë të kësaj skeme ne duam t’u japim këtyre 2.000 familjeve të përzgjedhura mundësinë për të blerë gjërat e domosdoshme që u duhen më shumë dhe që nuk u janë siguruar përmes ndihmave tjera humanitare. Ne i jemi mirënjohës Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për ndihmën financiare dhe të qenit partneri ynë gjatë gjithë këtyre muajve të vështirë. Dua gjithashtu të falënderoj Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrin Reçica personalisht që janë partnerë tanë afatgjatë në trajtimin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë”.

Natacha Gomes, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në deklaratën e saj theksoi: “Jam krenare që qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut ka dëshmuar përsëri përkushtimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar popullin e Kosovës. Përgjatë këtyre muajve të vështirë, ne kemi bashkëpunuar me UNDP-në dhe, tanimë kemi siguruar testet dhe ventilatorët mobil aq të nevojshëm për të ndihmuar në luftimin e pandemisë. Kontributi ynë i fundit, ndihma për 2.000 familje në nevojë tregon se ne po bëjmë çmos për të zbutur krizën e thellë nga pandemia dhe për të adresuar aspektin humanitar të krizës. Dua të falënderoj UNDP-në për prezantimin e skemës së kuponëve dhe për partneritet shumë të suksesshëm. Edhe një herë, unë do të doja t’u dërgoja një mesazh të gjithëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin masat parandaluese në vend, e sigurt se ne do ta tejkalojmë këtë sfidë”.

Rreth Programit

Kuponët ndahen për tri kategori:

Familjet me 1-4 anëtarë do të pajisen me 180 euro për 3 muaj (60×3)
Familjet me 5-7 anëtarë do të pajisen me 210 euro për 3 muaj (70×3)
Familjet me 8 anëtarë do të pajisen me 240 euro për 3 muaj (80×3).

Ky donacion u sigurua si pjesë e përgjigjes së menjëhershme ndaj COVID-19 në kuadër të Projektit, Zbutja e Ndikimit Të Krizës Humanitare dhe në Shëndet si dhe Mbrojtja Themelore Sociale për Grupet më të Cenueshme, të financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, përmes LuxDev, në një shumë të përgjithshme prej 1 milion EURO.

Aktualisht, rreth 25,000 familje me rreth 100,000 anëtarë përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale. Ky numër ndryshon ndër vite, megjithatë, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, numri është rritur duke marrë parasysh që një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë mbetur pa punë.

Ky aktivitet implementohet në bashkëpunim të ngushtë me MPMS/DPSF dhe Qendrat për Punë Sociale (QPS) për të përkrahur përkohësisht 2,000 familje të cenueshme që jetojnë në varfëri ekstreme duke siguruar kuponë që do të përdoren për periudhën tre mujore për të siguruar ushqim, gjësende higjienike dhe gjëra të tjera elementare. Grupet kryesore të përfituesve do të jenë familjet pa të ardhura, familjet me vetëm një prind, familjet me persona me nevoja të veçanta dhe familjet e varfëra që jetojnë në zona rurale.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit. Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim.