UNDP dhe institucionet e Kosovës janë të zotuara të mbështesin parimet themelore të qeverisjes demokratike në kohë krizash

0
58

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, shënuan sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me një uebinar të titulluar: “E ardhmja që duam të shohim – demokracia dhe sundimi i ligjit në kohë krize”. Në uebinar morën pjesë folës të shquar përfshirë Dr. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe Znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së do t’u bashkangjiten Z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, Z. Skender Çoçaj, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Znj. Sarah Rattray, Specialiste e Politikave Globale për të Drejtat e Njeriut në UNDP, New York.

Pandemia Covid-19 do të lërë gjurmë të pashlyeshme sociale dhe ekonomike, por gjithashtu do të paraqesë mundësi të reja për reforma institucionale, dialog social dhe forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit që janë gurthemel i zhvillimit të qëndrueshëm. Për të diskutuar këto sfida dhe mundësi, ngjarja bashkoi njohës nga fushat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit që ofruan mendimet e tyre mbi mungesat e ekspozuara nga pandemia dhe si këto mungesa mund të adresohen në të ardhmen.

Znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, në fjalën e saj të hapjes theksoi: “COVID-19 paraqet një mundësi për t’i bërë shoqëritë më përfshirëse dhe të qëndrueshme, dhe me punën tonë, ne synojmë të mbështesim parimet themelore të qeverisjes demokratike, duke përfshirë llogaridhënien, transparencën, dhe pjesëmarrjen.” Në fjalën e saj, Znj. Suokko përmendi edhe një mesazh global të KB-së: “Zgjedhjet që ne bëjmë dhe veprimet që ndërmarrim gjatë kohës së COVID-19 do të përcaktojnë të ardhmen që duam tani dhe për brezat e ardhshëm!”

Znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës me këtë rast tha: “Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne jemi duke sfiduar pandeminë e cila jo vetëm që po sulmon shëndetin dhe jetët tona, por edhe demokracinë. Baza e demokracisë është ndërtuar në tre parimet kryesore: lirinë, barazinë dhe drejtësinë, prandaj do të doja të ftoja të gjithë që të kthejmë vëmendjen tonë drejt këtyre parimeve demokratike si vlera kryesore për liritë themelore.”

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ndër të tjera theksoi: “Mjaft kohë para COVID -19, zhgënjimi po rritej dhe besimi tek autoritetet publike po zvogëlohej. Qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të dëgjuar njerëzit që kërkojnë ndryshime. Në këtë #DemocracyDay le të mbërthejmë këtë moment për të ndërtuar një botë më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, me respekt të plotë për të drejtat e njeriut”.

UNDP në Kosovë mbetet e përkushtuar të largojë pengesat me të cilat përballen njerëzit në realizimin e të drejtave të tyre dhe të mbështes institucionet drejt modernizimit, zgjerimit të nivelit të qasjes dhe të siguroj që shërbimet të ofrohen pa diskriminim.