Ujëvara e Sotirës, një shfaqje fantastike natyrore

0
74

Nga burimet e ujit që vijnë nga Mali i Tomorit, krijohet Ujëvara e Sotirës, një shfaqje fantastike natyrore që po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë turistë. Derdhjet që rrjedhin përmes shkëmbinjve gëlqerorë e që bien në trajtë çurgjesh nga lartësitë 20-100 metra, të bëjnë të përhumbesh totalisht në një spektakël ngjyrash e përjetimesh.

Itinerari që duhet të ndiqni për të mbërritur në destination nis fillimisht nga Gramshi, që ndodhet 16 km larg Ujëvarës. Prej andej mund të niseni për të shkuar në fshatin e Sotirës. Rruga për në fshat është e pashtruar dhe me disa kthesa. Me të mbërritur në fshat, do ju duhet të ecni rreth një orë e gjysëm në këmbë për tek Ujëvara. Rrugëtimi konsiderohet në përgjithësi si i lehtë për t’u gjetur e përshkuar (përjashtuar muajve të dimrit kur terreni vështirësohet shumë).

Imagjinoni ndjesinë e të shkelurit mespërmes një natyre të virgjër, plot gjelbërim e freski që përcillet nga burimet e shumta ujore që do hasni rrugës, dhe shfaqjen beftas të Ujëvarës madhështore me zhurmën karakteristike të saj. Falë një tarrace të blertë, ju mund t’i afroheni Ujëvarës e të pushoni nën joshjen e burimeve. Peizazhet e gjelbërta të pyjeve e pemëve të lisit përreth me lumin e Sotirës që krijohet nga ujëvara, janë një dekor perfekt i një ambjenti natyror të paprekur nga ndikimi i njeriut. Nëse keni këpucët e përshtatshme, mund të depërtoni në brendësi të ujëvarës falë një shtegu të krijuar apostafat, gjithmonë duke bërë kujdes se terreni është i rrëshqitshëm.

Në fund, nuk mund të shpëtoni pa bërë dhe disa refleksione personale shtyrë nga mbresat e udhëtimit. “Bukuria do të shpëtojë botën”, – shkruante Dostojevski shumë kohë më parë. Nëse gjatë shekullit të fundit ndërhyrja e njeriut ka shpërfytyruar keqazi tokën, në këtë vend ende mund të takohet natyra me tërë bukurinë e saj autentike. Ndoshta Ujëvara e Sotirës nuk do mund të shpëtojë botën, por mund t’ja dalë të jetë hapësira ku të gjithë shpirtrat ëndërrimtarë të mund të jetojnë plotësisht lirinë e tyre.