Uebinar mbi partneritetet publiko private kundër pastrimit të parave dhe për pajtueshmërinë

0
38

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes projektit Mbështetje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë (SAEK III), organizuan sot një uebinar virtual me qëllim të përmirësimit të pajtueshmërisë dhe masave kundër pastrimit të parave me ekspertë italianë nga sektori privat në të cilin morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës.

“Kemi zgjedhur një ditë të mbarë për këtë ngjarje – Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Një ditë kur ne mendojmë se si korrupsioni ndikon në jetët tona dhe përpiqemi ti përmirësojmë gjërat. Është me rëndësi të veçantë që sektorët publik dhe privat të bashkëpunojnë në parandalimin e korrupsionit dhe ti arrijnë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm,” u shpreh Maria Suokko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në fjalën e saj.

Sh.T. Thomas Kolly, Ambasador i Zvicrës në Kosovë theksoi: “Promovimi i transparencës në bashkëpunimin zhvillimor ndërkombëtar është gurthemel i politikave zhvillimore në Zvicër. Duke marrë parasysh që korrupsioni dhe pastrimi i parave janë pengesa të rëndësishme për zhvillimin, jam i lumtur që Zvicra, së bashku me partnerin tonë – Ambasadën Suedeze, mbështet përpjekjet kundër korrupsionit në Kosovë përmes projektit SAEK të UNDP-së”.

”Korrupsioni është vjedhje e mundësive dhe minon vlerën më të çmueshme që mund të ketë një shoqëri: besimin!”, deklaroi Sh.S. Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Suedisë.

Ngjarja kishte për qëllim të ndihmojë bankat private dhe entitetet tjera raportuese nga sektori privat në Kosovë të përmirësojnë masat e kontrollit të brendshëm dhe bashkëpunimin me autoritetet hetuese dhe mbikqyrëse përmes raportimit të klientëve të dyshimtë dhe aktiviteteve financiare. Folës të dalluar nga Asociacioni Kombëtar Italian i Bankave Popullore (Italian National Association of Popular Banks), Grant Thornton Consultants Italia, Guardia di Finanza dhe 36Brains ndanë përvojën dhe dijen e tyre në fushën që lufton pastrimin e parave me ekspertë kosovar.

Uebinari është mbështetur bujarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.