Turqia ndihmoi Kosovën me veshje për personelin shëndetësor, teste, pajisje si respiratorë etj

0
71

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë ka mbërritur sot kontigjenti i parë i mjeteve mbrojtëse profesionale dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Turqisë profesionistët dhe institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës pandemike me COVID-19.

Ky kontingjent ndihmash që sot pasdite ka arritur në Kosovë përmban maska mbrojtëse, dorëza, veshje për personelin shëndetësor, teste dhe, gjithashtu, edhe pajisje si respiratorë, defibrilatorë, puls-oksimetër dhe pajisje të tjera, të cilat do t’i shërbejnë personalit shëndetësor kosovar për t’u ballafaquar me koronavirsin-Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, falënderoi shtetin e Turqisë për ndihmën e dhënë në kuadër të luftimit të sëmundjes COVID-19.

Vitia tha se në betejën kundër COVID-19 në Kosovë, kjo ngjarje tregon solidaritet dhe miqësi, njëjtë “sikundër kemi pranuar ndihma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendet e Bashkimit Evropian, tani edhe nga shteti ynë mik, Turqia. Sipas ministrit Vitia, falë masave të ndërmarra dhe ndihmave të shteteve mike, tani kemi një situatë më të mirë në Kosovë”.

Ndihma e Turqisë, theksoi Vitia, tregon solidaritet dhe miqësi në kuadër të luftës që po përballemi, me COVID-19 në Kosovë, por jo vetëm.

“Në këtë pandemi e gjithë bota po përballet me këtë situatë. Sot nga populli turk në vazhdën e ndihmave që na kanë mbërritur edhe nga miqtë e tjerë, si nga BE, SHBA e miq të tjerë, sot nga populli turk kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme për popullin e Kosovës që të përballemi më lehtë dhe më mirë me COVID- 19. Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira, dhe në kohën kur gjithë miqtë tanë, njësoj si në Kosovë po përballemi me këtë problem është akoma, jo vetëm me solidaritet, por edhe një humanizëm diçka e mrekullueshme që po ndodhë”, tha Ministri Vitia

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, tha se ndihmat për Kosovën janë nisur me kërkesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Sakar, theksoi se këto ndihma janë nisur me kërkesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoan, ku sipas tij në këtë donacion përfshihen maska, dorëza dhe teste për verifikimin e personave me COVID-19.

“Jemi shumë të lumtur që kemi pasur mundësi t’i përgjigjemi pozitivisht Kosovës. Jemi të kënaqur që po shohim se mbështetjet dhe ndihmat tona në mënyrë konkrete po realizohen tani për Kosovën. Këto ditë të vështira që po kalojmë ne sot na i rikujtuan që se sa është e rëndësishme në ditët e vështira të qëndrojmë pranë miqve tanë. Sot, jo vetëm Kosovës, por ndihmat tona i kemi dërguar edhe në vendet e rajonit.

Falënderues ndaj këtij donacioni u shpreh edhe ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, teksa bëri të ditur se do të organizojnë brenda dhjetë ditëve një fluturim për qytetarët kosovarë që kanë mbetur në Turqi për t’u kthyer në Kosovë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe këshilltari i presidentit të Kosovës, z. Ardian Arifaj, i cili gjithashtu falënderoi shtetin e Turqisë për këtë mbështetje për Kosovën në ballafaqim me pandeminë e Koronavirusit Covid-19.