Trump: Kundërpërgjigjja ndaj çdo sulmi të Iranit 1 000 herë më e madhe

Presidenti amerikan, Donald Trump ka premtuar një përgjigje amerikane 1 000 herë më të madhe ndaj çdo sulmi nga ana e Iranit, pas raporteve të shtypit mbi një plan të pretenduar të Teheranit për të vrarë një diplomate amerikane.

Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo tha se po e merrte “seriozisht” këtë informacion, për të cilin Teherani thotë se është “i pabazuar”.

Sipas faqes së lajmeve ”Politico”, që citon dy zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti, shërbimet sekrete amerikane besojnë se qeveria iraniane po konsideron përpjekjen për të vrarë ambasadoren e SHBA në Afrikën e Jugut, Lana Marks, e cila është afër presidentit Donald Trump.

Sipas informacioneve Teherani synon të marrë hak për vdekjen e gjeneralit të tij të fuqishëm Soleimani, i vrarë në janar nga një sulm amerikan, me urdhër të presidentit Trump. /atsh