Tregu i makinave shënon rënie

0
76

Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA) njoftoi se kërkesa për makinat e pasagjerëve në Bashkimin Europian (BE) ka shënuar rënie me 4,6 për qind nga viti në vit në muajin janar.

“Megjithatë, me rreth 1,2 milionë njësi të regjistruara gjithsej, kjo ende përfaqëson vëllimin e dytë më të lartë në muajin janar që nga viti 2009”, raporton ACEA.

ACEA theksoi se kërkesa për makina të reja ka rënë pothuajse në të gjithë bllokun 28-anëtarësh, përfshirë pesë tregjet kryesore të BE-së.

Spanja dhe Italia shënuan rënien më të madhe, përkatësisht me 8,0 për qind dhe 7,5 për qind. Ndërkohë përqindjet e rënies ishin më modeste në Britaninë e Madhe (1,6 për qind), Gjermani (1,4 për qind) dhe në Francë (1,1 për qind).

Në muajin e parë të këtij viti, VW Group ishte prodhuesi më i madh me shitjet, me një pjesëmarrje prej 24,1 për qind.

Grupi që prodhon markat Volkswagen, Audi, Skoda, Seat dhe Porsche regjistroi një rënie vjetore prej 6,5 për qind në shitjet e saj, duke arritur 288.266 makina të pasagjerëve.

PSA Group, me markat e saj kryesore si Peugeot, Citroen dhe Opel kishte një pjesëmarrje prej 17,1 për qind, ndërsa Renault Group 9,7 për qind./Atsh

.