TravelWeekly: Shqipëria, një thesar pak i njohur shumë pranë nesh

0
77

Klasifikimi i destinacioneve më të kërkuara turistike dhe sugjerimet për të gjithë ata që kërkojnë të udhëtojnë, janë në fokus të këtyre ditëve të para të 2020-ës.

Në kërkim të destinacioneve ku turistët mund  të drejtohen këtë vit, edhe faqja britanike “TravelWeekly” ka sugjerimet e saj, mes të cilave vendos edhe Shqipërinë duke e cilësuar “një thesar pak të njohur, shumë pranë nesh”.

Katie McGonagle hartoi listën e vendeve më të mira që duhen vizituar këtë vit.

“Shqipëria, një thesar pak i njohur shumë pranë nesh”

“Grali i Shenjtë” i turizmit të aventurës po zbulon një thesar pak të njohur, që ndodhet shumë pranë pragut tuaj. Shqipëria është njëri prej tyre, një vend i fshehur mes Greqisë dhe Detit Adriatik. Tregu i turizmit të shtetit ballkanik është rritur mesatarisht me 20% në vit gjatë katër viteve të fundit, duke u vlerësuar si “Kroacia e re”.

Ellie Marr, një specialiste e udhëtimeve turistike në Shqipëri për llogari të “Regent Holidays”, një kompani e specializuar e udhëtimeve, shprehet: “Një destinacion i njohur për vizitorët e sprovuar, të cilët janë në kërkim të një alternative pushimesh në Mesdhe, ish-vendi komunist ofron një shumëllojshmëri destinacionesh të trashëgimisë kulturore, vijë bregdetare shkëmbore dhe peisazhe të paprekura të natyrës, si dhe një kuzhinë të rrallë, një kombinim i ndikimit të kuzhinës turke dhe mesdhetare”.