Tinka Kurti, një bukuri që nuk plaket

0
291

Tinka Kurti, një nga personazhet e rëndësishëm të teatrit shqiptar ka mbushur 87 vjeç.

Me një bukuri të natyrshme që vazhdon ti ndriçojë në portret Tinka Kurti, ka interpretuar role të pashlyeshme në kujtesën e historisë sonë kinematografike.

“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj”, është një nga shprehjet e saj. Vajza që lindi në Sarajevë e rritur nën leximet e së ëmës do t’i përkushtohej pasionit të saj teatrit, për tu kthyer në një nga ikonat e teatrit shqiptar.

 

Ajo lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë nga një baba Shqiptar me origjinë nga Dukagjini I Shkodrës dhe një nënë hungareze . Është më e madhja nga katër fëmijët. Familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.

 

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role kryesore në “Gjaku I Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

 

Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.