Ti je e lodhur- Poezi nga Edward Estlin

0
138

Ti je e lodhur,

(mendoj)

nga ky mister i vazhdueshëm i të jetuarit e vepruarit.

Edhe unë.

Ndaj,

eja me mua

të ikim larg e më larg-

(veç unë dhe ti, kupton!)

U argëtove,

(mendoj)

dhe i bëre copë e çikë lodrat e tua më të shtrenjta,

e tani disi e lodhur je;

E lodhur nga gjërat që thyhen, dhe-

Thjesht e lodhur.

Edhe unë.

Por sonte vij me një ëndërr në sytë e mi,

dhe trokas me një trëndafil në portën e pashpresë të zemrës sate-

Hapma!

Do të të rrëfej për vende që Askush s’i di,

e nëse do,

vendin e përsosur për të marrë një sy gjumë.

Ah, eja me mua!

Hënën do ta shfryj, atë bulë të mrekullueshme,

që kurdoherë pluskon dhe një ditë;

do t’këndoj këngën e zymbylit

të yjve të mundshëm;

Do kuturis nëpër stepat e qetë të ëndrrës

derisa të gjej Lulen e Vetme

që do ta ruajë (mendoj) zemrën tënde të vogël

kur hëna del nga deti./OxygenPress.info