‘Thonjtë e Covid’ mund të jenë një shenjë që keni kaluar koronavirusin

0
404

Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar për simptoma të rralla të Covid, si për shembull “gjuha e Covid”, skuqjet dhe ndryshimet te gishtat e duarve dhe këmbëve – por tani ka edhe një shenjë tjetër treguese që mund të keni pasur koronavirus: Thonjtë e Covid.

Profesor Tim Spector, hetuesi kryesor i aplikacionit Zoe Covid Symptom Study, shpërndau një fotografi në Twitter, duke sugjeruar që thonjtë e Covid – vijat e dukshme te thonjtë – “po njihen gjithnjë e më shumë”.

Dr. Tanya Bleiker, presidente e Shoqatës Britanike të Dermatologëve, tha për HuffPost se është diçka që dermatologët po e dëshmojnë te pacientët me Covid.

“Këto ndryshime janë njohur prej kohësh si ‘linjat Beau’ dhe janë prerje tërthore te një thua, ose te të gjithë, te thonjtë e duarve dhe ndonjëherë edhe te thonjtë e këmbëve,” tha ajo.

Vijat mund të shfaqen te thonjtë e duarve midis dy dhe tre javësh pas një sëmundjeje – dhe pak më vonë te thonjtë e këmbëve. “Janë të padëmshme dhe zhduken me kalimin e kohës,” shtoi Dr. Bleiker.

Duhet të theksohet se këto vija nuk shfaqen vetëm nga Covid. Shkaqe të tjera përfshijnë goditjet te thonjtë, ekzemën, kequshqyerjen, sëmundjen Raynaud, hipertensionin, epilepsinë, problemet me veshkat, sëmundjen Kawasaki dhe kimioterapinë.

Nëse ato nuk largohen, ose shtohen shumë, duhet të flisni me një dermatolog për të kuptuar më mirë se çfarë i shkakton.

Burimet: HuffPost, Healthline