Thirrje politikanëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe mediave të përdorin drejtë termin për personat me aftësi të kufizuara

0
81

Terminologjia e drejtë është prej elementeve kryesore që duhet të respektohet në rastet kur identifikohet një grup i caktuar në shoqëri.

Shumë shpesh hasim që mediat në Kosovë, politikanët, deputetët në veçanti, institucionet apo edhe qytetarët e rëndomtë të përdorin terme të gabuara për aftësinë e kufizuar.

‘’Nevoja të veçanta, aftësi  ndryshe, pa aftësi, të hendikepuar’’ etj, janë disa nga termet që duhet të eliminohen nga diskursi publik, kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara.

HANDIKOS dhe organizatat tjera që përfaqësojnë personat me aftësi te kufizuara sqarojnë se legjislacioni në fuqi në Kosovë jep këtë definicion: “Aftësia e kufizuar” – që nënkupton kufizim i qasjes dhe kufizim i aktiviteteve të zakonshme në jetën e përditshme të një personi, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore ose mendore, që e pengojnë atë për pjesëmarrje në aktivitetet e zakonshme ditore.

Në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, “aftësi e kufizuar” do të thotë ajo çfarë një person nuk mund ta bëjë lehtë, pa ndonjë ndihmë apo përkrahje të veçantë, përderisa të tjerët atë do të mund ta bënin pa ndonjë vështirësi të madhe.

Termi ‘’persona me aftësi të kufizuara’’ përdoret në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kuadrin ligjor aktual në vend dhe me këtë përkthim Konventa për të Drejtat  e Personave me Aftësi të Kufizuara e ka të publikuar edhe në ëeb faqen e OKB-së.

Çfarëdo terminologjie tjetër për aftësi të kufizuara dhe persona me aftësi të kufizuara nuk është e pranueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe as për organizatat që i përfaqësojnë ata.

Për më shumë, gjeni më poshtë linkun e DORACAKUT PËR QASJEN DHE TERMINOLOGJINË E DREJTË PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA, dokument i përbashkët i organizatave të personave me aftësi të kufizuara.

http://handi-kos.org/wp-content/uploads/2004/03/DORACAKU_GQZ_ALB_966740.pdf