“The Guardian”: Vaksina e BioNTech/Pfizer mund t’i japë fund pandemisë

0
305

Shkencëtari, i cili qëndron pas prodhimit të vaksinës së parë Covid-19, Ugur Shahin thotë se ai është i bindur se produkti i tij mund t’i japë fund pandemisë që ka mbajtur peng botën në 2020, shkruan Philip Oltermann për gazetën britanike ”The Guardian”.

Kompania gjermane BioNTech dhe gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer njoftuan të hënën se kandidati i tyre i vaksinës i zhvilluar së bashku kishte tejkaluar pritjet në fazat vendimtare të provave duke u treguar 90% efektive në ndalimin e kësaj sëmundjeje te njerëzit.

Sidoqoftë, mungesa e grupeve të plota të të dhënave nga provat në vazhdim e ka lënë pa përgjigje pyetjen nëse vaksina është gjithashtu efektive për ata me infeksione asimptomatike.

Në intervistën e tij të parë me një gazetë britanike, shefi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Shahin, thotë se ai është optimist.

“Nëse pyetja është nëse mund ta ndalojmë këtë pandemi me këtë vaksinë, atëherë përgjigjja ime është: po, sepse unë besoj se edhe mbrojtja vetëm nga infeksionet simptomatike do të ketë një efekt të madh”, tha Shahin.

”Derisa u zbuluan rezultatet e provave të së hënës”, tha shkencëtari, ai nuk ishte i sigurt ”nëse vaksina do të shkaktonte një reagim mjaft të fortë nga sistemi imunitar i njeriut”.

“Ishte e mundur që virusi nuk është në shënjestër të vërtetë nga vaksina, gjen rrugën e tij në qeliza dhe vazhdon t’i sëmurë njerëzit. Tani e dimë që vaksinat mund ta mposhtin këtë virus”, thekson ai.

Ndërsa vaksinat konvencionale marrin informacion gjenetik nga një virus dhe e kultivojnë atë në një qelizë njerëzore, metoda mARN thjesht kërkon kodin gjenetik të virusit, duke shkurtuar kështu procesin e prodhimit me gati tre muaj.

“Vaksina pengon Covid-19 të fitojë qasje në qelizat tona. Por, edhe nëse virusi arrin të gjejë një rrugëdalje, atëherë qelizat T e godasin atë mbi kokë dhe e eliminojnë atë. Ne e kemi trajnuar shumë mirë sistemin imunitar për të përsosur këto dy lëvizje mbrojtëse. Tani e dimë që virusi nuk mund të mbrohet kundër këtyre mekanizmave”, thotë Shahin.

”Disa pyetje thelbësore në lidhje me efikasitetin e vaksinës do të marrin përgjigje vetëm në javët dhe muajt e ardhshëm”, shton ai.

Aksionet e BioNTech u rritën pas njoftimit të së hënës, me vlerën totale të aksioneve të saj tani 21,9 miliardë dollarë. Por, Shahin tha se shuma të tilla ishin thjesht “numra në copa letre” tani për tani.

“Do të vijë një moment kur ne mund të mendojmë se çfarë të bëjmë me paratë tona”, thotë ai.

”Unë mendoj se kemi nevojë për një vizion global që u jep të gjithëve një shans të barabartë. Inteligjenca shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjitha etnitë, kjo është ajo që tregojnë të gjitha studimet. Si shoqëri duhet të pyesim veten se si mund t’i japim të gjithëve një shans për të kontribuar në shoqëri. Unë jam një shembull aksidental i dikujt me një sfond migrimi. Unë mund të kisha qenë njëlloj gjerman ose spanjoll”, thotë Ugur Shahin, djali i një emigranti turk në Gjermani./ATSH