Thaçi: Takimi në Washington kthesë historike, Kosova do të punojë që të përmbyllet kapitulli njëshekullor i konfliktit me Serbinë

0
69

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se delegacioni i Kosovës do të shkojë i përgatitur në Washington për të rifilluar dialogun me Serbinë.

Thaçi ka thënë se takimi që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë është kthesë historike dhe mundësi e papërsëritshme për rifillimin e dialogut.

“Siç edhe e dini takimi i Washingtonit po afrohet, institucionet e shtetit të Kosovës e kanë marrë me përgjegjësi dhe seriozitet shumë të lartë këtë takim. Në Washington shkojmë me parime të qëndrueshme, në këtë rast dua të falënderoj presidentin Trump dhe të dërguarin special të tij, Richard Grenell, për përkushtim dhe mbështetjen e dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Takim e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë e konsiderojmë si kthesë historike, dhe mundësi të papërsëritshme për rifillimin e një procesi shumë të vështirë, të rëndë por të domosdoshëm për paqen”, deklaroi ai.

Presidenti pohoi se delegacioni i Kosovës shkon i përgatitur për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.

Gjatë konferencës, Thaçi tha se vendi ynë është i bekuar me përkrahjen e SHBA-së.

“Kosova do të punojë që të arrihet marrëveshja paqësore dhe historike e cila do të mbyllë një herë e përgjithmonë kapitullin një shekullor të konfliktit Kosovë-Serbi. Nga Washingtoni kanë ardhur gjithmonë, lajme të mira kështu do të jetë gjithmonë. Kosova shkon me flamurin shtetëror, i cili është integriteti territorial i Republikës së Kosovës”.