Thaçi: “Është arritur shumë në Kosovë, por edhe shumë mbetet për t’u bërë”

0
50

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim njoftues shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, të cilit i ka dëshiruar mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në punën e re.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova ka vetëm një drejtim, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar vullnetin e institucioneve që të punojnë pa ndalë në këtë drejtim.

“Është arritur shumë, por edhe shumë mbetet për t’u bërë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ambasadori Szunyog u shpreh i lumtur me detyrën e re dhe njoftoi për projektet e reja të BE-së, veçanërisht ato me theks në tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19.

Presidenti Thaçi e siguroi ambasadorin Szunyog se do ta ketë përkrahjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të shtetit të Kosovës në realizimin e projekteve që afrojnë Kosovën drejt BE-së.