TESTI I ARRITSHMËRISË SI PARALAJMËRIM I NJË VITI SHKOLLOR ONLINE

0
68

Nga Dukagjin Pupovci

Më 18 qershor, kur në Kosovë ishin 1,916 raste të COVID-19 dhe 34 fatalitete, u mor vendimi që testi i arritshmërisë për klasat e nënta të shtyhet nga data 23 qershor në datën 20 gusht. Përgatitjet që kishin filluar nëpër shkolla u ndërprenë, ndërsa fëmijët u dërguan në shtëpi, pa i menduar fare pasojat për motivimin e tyre pas tre muajve të kaluara në shtëpi. Paradoksalisht, po ato ditë mbaheshin provimet në universitete, ku mbi 100 mijë studentë hynin e dilnin nëpër fakultete gjatë tërë ditës, ndërsa kafenetë dhe restorantet vlonin nga klientët. Më 6 gusht, kur numri i infeksioneve ju afrua 10 mijëshit, ndërsa numri i fataliteteve shkoi në 300, u mor vendimi që testi i arritshmërisë të anulohet krejtësisht me arsyetimin e ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe të mësimdhënësve.

Po atë ditë edhe lindi pyetja legjitime: nëse shteti, dy herë radhazi nuk mundi ta organizojë një test 2-orësh për 26 mijë nxënës, në kohën kur objektet shkollore janë të zbrazëta, atëherë çfarë pritet se do të ndodhë më 1 shtator kur mbi 300 mijë nxënës ja mësyjnë shkollave. Dhe ndodhi pikërisht ajo që pritej – pasi u dhanë premtime e zotime se jemi të gatshëm dhe se viti shkollor fillon më 1 shtator, u mor vendimi i befasishëm që viti shkollor të shtyhet për datën 14 shtator. Janë të paktën tri arsye për këtë. E para, në Kosovë pandemia është jashtë kontrollit dhe askush nuk dëshiron ta merr përgjegjësinë për pasojat që mund të dalin nga kthimi i nxënësve në objekte shkollore. E dyta, hapja e shkollave në kohë të pandemisë kërkon kushte sanitare të veçanta, përderisa në shkollat tona mungojnë mjetet elementare higjienike, ndërsa niveli i pastërtisë lë shumë për të dëshiruar. E treta, përgatitjet për vitin e ri shkollor janë bërë në nivelin e politikave (zhvillimi i skenarëve, manualeve, etj.), por jo edhe në terren: fushata informuese, trajnimet e mësimdhënësve, furnizimi i shkollave me mjete higjienike, etj.

Edhe nëse më 14 shtator hapen shkollat, sigurohet alkooli për dezinfektimin e duarve dhe termometrat laserikë, Ministria merret vesh me SBASHK-un se kush do t’ua mat nxënësve temperaturën te hyrja e shkollës, instalohen kutitë e sapunit dhe tharëset e duarve nëpër tualete, dhe shkollat fillojnë të pastrohen si duhet, nuk ka asnjë garanci që dy-tre javë më pas mësimi nuk do të ndërpritet për shkak të shpërthimit të infeksioneve që burim kanë shkollën. Prandaj, duhet bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e mësimit online, sepse mund të jetë forma e vetme e mundshme për kushtet tona derisa të gjindet ilaçi për këtë virus. Me këtë rast duhet thënë se, edhe në kushte ideale, mësimi online në arsimin parauniversitar nuk ka efekt të njëjtë si mësimi në klasë, por është zgjidhje shumë më i mirë sesa të mos ketë fare mësim.