Teleskopi Hubble shfaq shenjat e moshës

0
89

Teleskopi Hapësinor Hubble shumë shpejt do të mbushë 31 vjeç dhe tashmë ka filluar të tregojë shenja e “plakjes”.

Sipas NASA-s, në mars 2021, Hubble pati disa probleme në hardware dhe software, që e detyruan atë të hyjë përkohësisht në një modalitet sigurie.

Gjithashtu, teleskopi regjistroi edhe një problem teknik me sistemin që e mbron atë nga rrezet e diellit dhe një defekt tensioni në videokamerën kryesore 3.

“Të gjitha shenjat tregojnë se teleskopi ka filluar të “vuajë” nga shumë vite aktivitet”, shpjegojnë studiuesit.

I lëshuar më 24 prill 1990, teleskopi më i famshëm i hapësirës, i menaxhuar nga NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA), ka revolucionarizuar astronominë, duke ofruar imazhe befasuese të kozmosit dhe informacione të vlefshme për astronomët çdo ditë.

Pavarësisht nga fillimet e tij të trazuara, të shënuara nga disa të meta në pasqyrën e tij kryesore, Hubble më pas shënoi sukses pas suksesi.

Zbulimet e tij mundësuan përcaktimin e saktë të epokës së universit, vëzhgimin e galaktikave të para, sigurimin e provave të para të ekzistencës së energjisë së errët, që zë rreth 70% të kozmosit dhe të vrimave të zeza gjigante në qendër të galaktikave të shumta, përfshirë Rrugën e Qumështit.

Në prill të vitit 2020, gjatë festimeve virtuale për 30 vjetorin e Hubble, studiuesit e NASA-s theksuan se “presim që teleskopi i famshëm të jetë në veprim për të paktën pesë vjet”.

Ndërkohë, pasardhësi i tij, teleskopi hapësinor “James Webb”, është pothuajse gati.

Pas disa shtyrjeve, ai pritet të lëshohet në fund të tetorit 2021, nga aeroporti hapësinor Arianespace në Kourou, Guajana Franceze./ATSH