Të sëmurët me COVID-19 dyfish më të rrezikuar nga depresioni, ankthi e demencia

0
100

Rreth 20 përqind e pacientëve të sëmurë me COVID-19, janë përballur me një problem të shëndetit mendor si depresioni, ankthi apo demencia.

Këto probleme, sipas një studimi të ri shfaqen kryesisht brenda tre muajve që nga diagnostikimi.

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar analizuan të dhënat mjekësore të mbi 69 milionë njerëzve, përfshirë këtu ato të 62,000 personave të sëmurë me COVID-19.

Sipas tyre, infektimi me COVID-19 mund të shkaktojë një sërë problemesh psikologjike që burojnë jo vetëm nga stresi i pandemisë por edhe nga ndikimi i sëmundjes në organizëm.

Gjetjet e studimit zbuluan se 6 përqind e të rriturve të prekur nga COVID-19, shfaqën shqetësimin e parë psikologjik brenda 90 ditëve.

Ndërkohë, shqetësime të tilla prekën 3.4 përqind të njerëzve që nuk ishin infektuar me COVID-19.

Me fjalë të tjera, njerëzit e prekur nga COVID-19 janë dyfish më të rrezikuar nga përjetimi për herë të parë në jetë i luhatjetve të humorit apo çirregullimeve të ankthit.

Të moshuarit me COVID-19 ishin dy ose tre herë më të rrezikuar të prekeshin nga demencia.

Studiuesit thanë se njerëzit që janë diagnostikuar me një çirregullim psikiatrik në 2020 dhe janë infektuar me COVID-19, ishin 65% më të prirur të vuanin nga demencia.

Si ndikon koronavirusi në shëndetin e trurit?

Thjesht diagnostikimi me COVID-19 nxit stresin dhe ankthin, thonë ekspertët.

Jessica Stern, psikologe pranë departamentit të psikiatrisë në NYU Langone Health thotë se izolimi si pasojë e infeksionit mund të ketë rol kontribues tek ankthi dhe depresioni.

Prania e virusit në organizëm dhe beteja me të është më traumatike se çido sëmundje tjetër, për shkak të faktit që ky armik është i padukshëm, izolimi është i domosdoshëm ndërkohë që shërimi është plot pikëpyetje.

COVID-19 prek shumë organe dhe mund të arrijë edhe tek truri.

Ky raport mjekësor ka treguar se pacientët me COVID-19 kanë përjetuar shpesh komplikacione neurologjike si: konfuzion, marramendje, delir dhe çirregullime të tjera në aftësitë e të nxënit.

Shkencëtarët dyshojnë se virusi i ri dëmton furnizimin me gjak të trurit dhe nxisin enjtjet e indeve të trurit.

Për më tepër, nëse sistemi respirator është vënë në vështirësi nga virusi, truri vuan sërish nga mungesa e furnizimit me oksigjen.

COVID-19 ndikon edhe tek ora e brendshme e trupit duke prishur cilësinë e gjumit, nxitur pagjumësinë kronike, e cila ka një efekt domino në shfaqjen e depresionit, ankthit dhe ndryshimeve të tjera.