“Të rrezikosh jetën për të nxën dije, kur t’i s’ke mësuar as pa qenë rrezik për jetë, është qesharake dhe patetike”

0
153

Nga Kimete Berisha

Kur je fëmijë e mbarojnë pushimet verore, të këputet shpirti, jo pse fillon shkolla, por pse përfundon ‘loja’.

Në shkollë i pëlqen më së shumti mësuesit që çdo mësim e shndërrojnë në lojë. Të paktë janë ata.
Kur kryhet shkolla, të duket se nuk mban mend asgjë që ke mësuar, sepse mësimi nuk përfundon kurrë. Fatkeqësisht përfundon veç loja.

Prandaj, kur kryhet shkolla na duket se ‘i harrojmë’ gati krejt mësimet, dhe i mbajmē mend vetëm ata mësues që nuk harronim se ishim fëmijë dhe se ‘Zoti’ i fëmijëve është loja.

Dhe të gjithë të thonë ‘jepi zor se ke m’i nxjerr sytë t’u’.
Të mësojnë të mërzitesh, të frikësohesh nga e ardhmja dhe dështimi, të mbushin vrer me armiqtë e historisë, ta mësojnë zemërimin dhe përmendësh ‘Shko dallëndyshe’ që kurrë nuk të hyn në punë, por nuk ta mësojnë qetësinë, dhe durimin.

Nuk ta mësojnë qetësinë, sepse as atyre nuk ua ka mësuar askush dhe kështu me rradhë, askush-askujt s’ia lë trashëgim urtinë, dhe prandaj qetësimin e gjen veç në barnatore dhe te Zoti.

S’më ka pëlqyer kurrë mësimi kolektiv, vet e 40-ta në klasë.
Para se të lexoj (jashtë shkollës) për shkollën peripatetike (shetitëse) të Aristotelit, kam ëndërruar ta kem një shkollë timen të vogël, me dy klasë.

Pasi kam lexuar për shkollën shetitëse (peripatetike, ku mësohet duke ecur e duke lëvizur), e kam ‘rrënuar’ në ëndrra shkollën ‘time’, dhe s’e kuptoj as sot pse duhet patjetër të ulesh në karrige të fortë prej druri për të mësuar.

Pse nuk bën të mësosh në lëvizje, duke ecur, duke shetitur, ose nga shtëpia, në kokërr shpine, siç ka bërë Aristoteli me shokët e tij.

Shtatorit i vjen era libra. Por, librit i ka marrë moti dimër.

Të rrezikosh jetën për të nxën dije, kur t’i s’ke mësuar as pa qenë rrezik për jetë, është qesharake dhe patetike.

Tjetër gjë bota e pëparuar. Në Japoni nxënësit e mësojnë edukatën, kurse mësuesit tanë më në zor janë me prindërit e paedukuar sesa me fëmijët e tyre që pritet t’i edukojnë.

Veç fukarallaku i madh se më zor se sot me punu me nxënës nuk ka, sepse liria e tyre në shtëpi është absolute, ku rregullat strikte në shkolla konsiderohen armiqësore, prandaj nuk ka rregulla strikte, ka anarki dhe shëmti që e quajnë ‘liri’.

E mora shembull sistemin arsimor në Japoni (sepse më pëlqen letërsia japoneze) dhe më mahnit se si ata njerëz e marrin aq seriozisht përgjegjësinë dhe fajin mbi vete për dështimin më të vogël.

Nxënësit e tyre hyjnë me papuçe në shkollë dhe kur të vjen koha e drekës nuk fillojnë të hanë derisa të shërbehen të gjithë, dhe kur fillojnë të hanë, fillojnë të gjithë përnjëherë.

Në mënyrë të organizuar i pastrojnë pjatat e tyre, i mbledhin troshat, i pastrojnë klasat dhe nuk shkojnë për të shkatërruar si te ne, ku nxënësi han burek dhe e gjuan ushqimin, e shan arsimtaren, han fara në klasë, hyn e del kur të dojë, sepse këtë sjellje e quajnë demokraci, e drejtë e tyre, kur në fakt është primitivizëm dhe banditizëm.

Të vjen nana e tij thonjtë gjymë metri ti ngul n’qafë: pse ti mos me leju djalin tim me hëngër fara në klasë e m’i gju n’dysheme! Ani çka! Ne e lejojmë me kall shpinë e nuk ia prishim.

Jo ky është fëmijë hasreti, jo ky mbas 5 çikave, jo ajo është çika e filanit, e ministrit…si gjithkund, edhe në shkolla, politikë e pabarazi.

S’guxon me ja prish e sende-vende, mos u paça borxh, mësimdhënësve shqiptarë, për rroga aq të vogla, çdo ditë e nxijnë jetën e tyre në ‘gangsta paradise’.

Kryeministri Hoti e njeh mentalitetin dhe gjendjen në shkolla, dhe prandaj nuk duhet të krahasohet me Japoninë kur vendos m’i çel shkollat në kohë pandemie.

Mos më shti tash me fol me emra e me të tregu se në Institucione qëndrore xhamat nuk janë pastru qe 3 vjet. Qe unë për shembull gjithmonë prej se punoj i pastroj xhamat e zyres vet.

Shqiptarët nuk mbajnë pastërti. Kjo nuk do studim. Dihet. Shihet.
Edhe nga një bunar me dezinfektues me çel nëpër oborre të shkollave, që me nxjerr alkool me kofe, kot e ke.

Nxënësi nuk e pastron karrigen e tij. Harroje. Sepse kurrë nuk u mësu me prek punë me dorë në shpi t’vet që me ja nis sefte në shkollë. Gjimnazistit m’i ra hunda në tokë, nuk e merr.
Ka kalu koha ‘çu qitma një bardak ujë’. ‘Shko blej bukë’. ‘Dil gjuaje bërllogun’.
Që tha njana ‘kur kam qenë në kohë të djalit tim, kam qitë çaj, e tash kur ia qes atij çajin, unë tutna mos po përvëlohet’.

Duhet me qenë të lumtur që dinë me pi çaj 😂.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm i Albinit i kish ndihmu çështjes.
Deri atëherë, derisa të kalojë pandima shkollat ish dashur të vazhdojnë online.
Sepse si online, si Live, disponimi i shqiptarëve për dijen është i njejtë. Së paku të shpëtojmë jetë.
Ky është mësimi më i madh që na duhet sot.

P.S.
Kur vjen shtatori, e bjen shi, poeteshat zakonisht qajnë për dashuri.
Por, unë për çdo shtator e ndjej erën e librave në librarinë e veriut të Mitrovicës, djathtas ka qenë një librari, përtej Urës së Ibrit.
E kam pasur ‘kompleks’, kusht që t’i kem
librat e reja, të paprekura, të palexuara nga askush para meje.

Kurrë s’kemi qenë normal!