Të ngrënit më shumë seç duhet nga stresi i pandemisë: Ç’duhet të bëni!

0
92

Për shumë prej nesh, përgjigja ndaj çdo problemi apo stresi sado të vogël apo të madh, mund të jetë: Të hamë sa të mundemi, pa e kuptuar se sa dhe çfarë po konsumojmë.

Në fakt, konsumi i kalorive për kënaqësi mund të ndihmojë disi në qetësimin dhe zbutjen e ankthit, por sasitë e tepërta të biskotave, akulloreve etj, në një plan më afatgjatë, nuk do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë.

“Ka shumë ankth kolektiv në këtë kohë, i cili mund të na japë oreks më të madh emocional dhe kjo është e kuptueshme”, thotë Signe Darpinian, një specialist i çertifikuar i çrregullimeve të të ngrënit.

Konsumi i kalorive të tepërta në një moment të caktuar dhe shpejt, mund të çojë gjithashtu në energji të ulët, fryrje të stomakut, parehati në stomak dhe shtim të peshës me kalimin e kohës. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për pirjen.

Përfshirja e sasive të vogla të alkoolit mund të jetë e shëndetshme, por edhe në nivele të ulëta, alkooli mund të ndërhyjë në gjumin, shtimin e peshës, si dhe të ndërveprojë negativisht me disa ilaçe.

Mos harroni, nuk ka nevojë të ndiheni keq kur u drejtoheni ushqimeve ose pijeve tuaja të preferuara, kur ato ju ofrojnë pak rehati. Kjo nuk është ajo për të cilën bëhet fjalë. Ne jemi njerëz dhe kjo është një mënyrë krejtësisht e pranueshme për të përballuar problemet që kemi.

Kryesorja është gjetja e strategjive për t’ju ndihmuar të hani atë që ju pëlqen dhe të ndiheni mirë edhe pasi e bëni këtë.

Për të gjithë ju që e ndjeni se po konsumoni ushqim më shumë nga stresi, se nga uria, këtu janë gjashtë mënyra për të përballuar të ngrënit gjatë kësaj periudhe:

#1 – Së pari, mos e teproni!

Po, ju mund të konsumoni akulloren tuaj të preferuar apo gjithçka tjetër, por synoni t’i vendosni vetes një kufi.

Ju mund të thoni me vete:

“Po, unë jam e vetëdijshme që po marr këtë vendim, por nuk do ta teproj derisa të ndihem e sëmurë.”

Të qenit të vetëdijshëm për zakonet tuaja të të ngrenit është shumë e rëndësishme, pasi kjo ju ndihmon ta shijoni ushqimin, por edhe të kontrolloni sasitë që po merrni.

#2 – Vendosni paraprakisht sasitë

Nëse keni probleme me kontrollin e sasive që konsumoni, provoni të ndani në porcione të vogla biskotat, patatet e skuqura apo diçka tjetër.

Kjo do t’ju ndihmojë të mos hani gjithë pakon, por vetëm atë po i servirni vetes.

Gjithashtu për ta bërë më të lehtë kontrollin e konsumit të alkoolit, ju mund të vendosni shishen e verës (ose kanaçen shtesë të birrës) larg syve tuaj.

#3 – Zgjidhni ushqime të shpejta të shëndetshme

Provoni të zëvëndësoni qesen e patatinave me fruta të thata. Zëvëndësoni një pako të tërë me biskota dhe çokollata me një sallatë frutash e kështu me radhë.

Gjithashtu, përpiquni të konsumoni pjata me bazë bimore, pasi ato mbeten ndër më të shëndetshmet.

“Kërkimet vazhdimisht tregojnë se dietat me bazë bimore janë të lidhura me një rrezik më të ulët të mbipeshës, hipertensionit, sëmundjeve të zemrës, diabetit tip 2 etj”, shprehet Sharon Palmer, një dietologe.

Provoni t’i planifikoni vaktet një ditë para dhe eksploroni me shije të reja.

#4 – Jepni gatimeve të pashëndetshme pak dozë “të shëndetshmeje”

Nëse vendosët të konsumoni makarona, provoni për makarona thjerrëzash ose qiqrash në vend të makaronave të zakonshme.

Nëse ju pëlqen akullorja, hidhini sipër disa fruta si manaferrat, të pasura me antioksidantë apo një lloj tjetër fruti. Nëse e doni çokollatën, shkrijeni dhe përziejeni atë me gjithë frutat tuaja të preferuara.

#5 – Ushqime që ju mbajnë “të zënë”

Provoni ushqime që “i mbajnë duart tuaja të zëna”.

Shihni një film, shoqëruar me kokoshka ose zhysni feta molle në një pjatë me kos dhe mjaltë.

#6 – Merrni pak kohë për çaj

Çaji mund të ndihmojë në largimin e oreksit që na vjen si pasojë e stresit. Çaji jeshil në veçanti, mund të ndihmojë në zvogëlimin e stresit dhe në nxitjen e ndjenjave të qeta.

#7 – Konsumoni shumë ujë

Uji përveçse do t’ju hidratojë, do t’ju japë dhe ndjesinë se jeni të ngopur, duke bërë që të mos konsumoni pa qenë vërtetë të uritur, ose duke bërë që mos ta teproni me kaloritë ditore.

Burimi: CNN, Anabel